Vlorë, 30 policë në operacion, asgjësohen 9 parcela me kanabis dhe kapen 37 kg

529
Rreth 30 efektivë të Drejtorisë së Policisë së Vlorës dhe Delta Force kanë marrë pjesë në një operacion ku janë asgjësuar 9 parcela me kanabis. Operacioni i koduar “Shadow” (Hijet) është zhvilluar në Njësisë Administrative Kotë të Bashkisë Selenicë.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi janë sekuestruar dhe asgjësuar 339 bimë narkotike dhe sekuestruar 37 kg e 700 gr lëndë narkotike të dyshuara të llojit Cannabis Sattiva si dhe është bllokuar një automjet.

Policia ka proceduar penalisht 4 shtetas dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.

Nga kontrollet e ushtruara në territorin e Njësisë Administrative Kotë, Bashkia Selenicë është bërë e mundur:

Konstatimi dhe asgjësimi i 9 parcelave të mbjella me 339 rrënjë bimë narkotike në fshatin Lapardha, në tokë publike të pyllëzuar pranë vendit të quajtur “Hija e madhe”, me gjatësi 20 cm deri në 100 cm, të cilat u asgjësuan me anë të djegies me zjarr.

Në lidhje me këtë ngjarje, Policia ka proceduar penalisht 4 shtetasit e mëposhtëm për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”:

1- F.H., 63 vjeç, banues në fshatin Gumenicë, me detyrë: Kryetar i Njësisë Administrative Kotë.
2- A.C., 53 vjeç, banues në fshatin Lapardha, me detyrë: Kryeplak i fshatit Lapardha.
3- M.H., 52 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, me detyrë: Inspektor i Pyjeve në Njësinë Administrative Kotë.
4- B.D., 51 vjeç, banues në fshatin Mavrovë, me detyrë: Përgjegjës i Inspektorëve të Pyjeve në Bashkinë Selenicë.

Gjithashtu, në vijim të këtij operacioni, gjatë kontrollit të territorit konkretisht në aksin rrugor Kotë-Drashovicë, Policia e Vlorës ka bllokuar një automjet të dyshimtë i cili u braktis nga drejtuesi i tij.

Nga kontrolli i ushtruar në mjetin tip “Fiat Panda” me targë AA 369 MK, është gjetur një sasi me lëndë narkotike e vendosur në 7 paketime të përmasave të ndryshme dhe të mbështjella me natriban transparent, e cila pas peshimit ka rezultuar me peshë totale prej 37 kilogramë e 700 gramë, e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet hetimore të Policisë, ka rezultuar se në këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë shtetasit e mëposhtëm të shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”:

1- A.I., 26 vjeç, banues në Vlorë.
2- B.A., 30 vjeç, banues në Kaninë.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve përgjegjës të implikuar në këto veprimtari kriminale kundër kultivimit, prodhimit apo shitjes së narkotikëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, informon qytetarët, se në bashkëpunim me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese po vijon punën dhe ka marrë masat e nevojshme për kontrollin e territorit nga toka si edhe nëpërmjet monitorimit nga ajri me helikopter, me qëllim konstatimin dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun e Vlorës.
Sigal