Vlonjates iu sekuestruan dy llogari bankare, çfarë tha për 300 mijë eurot në polici

539
Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e këtij rrethi sekuestruan dje llogaritë bankare të një 57- vjeçareje, e cila shkonte në total në rreth 300 mijë euro.
Gruaja, identiteti i së cilës nuk jepet i plotë, por vetëm me inicialet T.B., nuk ka mundur dot të justifikonte shumën e parave të ndara në dy llogari në emër të saj.
Për shkak të dyshimeve është vendosur sekuestrimi i parave e më tej ka nisur hetimi për të gjetur origjinën e tyre. Sipas të dhënave, 57-vjeçarja ka deklaruar në Polici se shumën e parave ia kishte dërguar herë pas here djali emigrant.
Duke pasur dyshime të forta se këto para mund të jenë fituar nëpërmjet veprimtarive të paligjshme në shtetin ku jeton djali i saj, Prokuroria ka vendosur të bllokojë të dy këto numra llogarie deri në fund të hetimeve. Kësisoj, gruaja e ka të pamundur të veprojë dhe t’i tërheqë këto para deri në përfundim të hetimeve.
“Këto para m’i ka dërguar djali që e kam emigrant. Ai ka dërguar herë pas here dhe nga kursimet është bërë kjo shumë parash”, është shprehur 57- vjeçarja, e pyetur se ku i kishte gjetur të gjitha këto para.
Tashmë do të hetohen transaksionet e kryera, si dhe periudha kur është bërë kjo. Banka, sipas të dhënave, ka njoftuar fillimisht seksionin e pastrimit të parave, nga ku më pas janë vënë në lëvizje ekspertët e tjerë të hetimit.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ditën e sotme kanë bërë të mundur sekuestrimin e dy llogarive bankare të shtetases T.B., 57 vjeçe, banuese në Vlorë, me një shumë totale prej 298.324 Euro. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e Policisë së Vlorës. Tashmë pritet t’i merret dëshmia edhe djalit të 57- vjeçares, të cilit do t’i duhet që të justifikojë prejardhjen e një shumë të tillë parash.
Sigal