Viktimat në rrugë shfryjnë “sukseset” e ministrit Tahiri

451
Sigal

Tragjedia ndodhi në Lushnje, viktimat adoleshentë; drejtuesi i makinës, pa dëshmi drejtimi automjeti

Përgjaken përsëri rrugët shqiptare nga aksidentet me pasojë vdekjen, ndërkohë, drejtuesit e policisë dhe ministri Saimir Tahiri -që objekt kryesor kanë realizimin e planit të gjobave -vazhdojnë ‘paradën e sukseseve’, pa analizuar apo minimalisht të japin dorëheqjen si përgjegjës të këtyre tragjedive. Tre viktima e një i plagosur rëndë, është bilanci i një aksidenti që ndodhi dje në Lushnjë, ndërkohë që, viktimat të gjithë janë adoleshentë që ktheheshin nga një dasmë. Përtej dhimbjes për tragjedinë, ajo që përbën përgjegjësi të rëndë për rrugorët është fakti se, drejtuesi i automjetit (një nga viktimat) ishte padëshmi drejtimi të makinës…

SITUATA

S’ka ditë që të mos dëgjojmë e të mos shohim nëpër kronika për ngjarje të rënda, tragjike, për aksidente të egra e të përgjakshme, të cilat i kanë gjymtuar ose u kanë marrë jetën njerëzve. Secili prej nesh është dëshmitar sesi çdo ditë përgjaken rrugët e Shqipërisë, nga Veriu në Jug, sesi çdo ditë pamjet rrëqethëse që na vijnë nga ekranet televizive apo faqet e gazetave jo vetëm na godasin rëndë, por na bëjnë edhe të mendohemi e të revoltohemi. Deri kur kështu? Shteti ka një ushtri të tërë me policë, specialistë, shefa, kontrollorë, me grada e pa grada, të cilëve u jep rrogë për të siguruar që udhëtimi nëpër rrugë të jetë normal, që qytetarët, mjetet e mallrat të qarkullojnë lirisht e pa probleme. Po si shpjegohet që kjo situatë, në vend që të përmirësohet, po rëndohet. Ministri Tahiri, si në analizën e 300 ditëve, ashtu dhe më pas, vazhdon të tundë “dafinën” e të fitoreve me ca shifra e ca fjalime, a thua se jeta zhvillohet nëpër ca letra e shifra, duke harruar jetët e ikura, lotët e nënave. Askush nga ne nuk ka dëgjuar ndonjëherë që ndonjë punonjësi të Policisë Rrugore t’i kërkohet hesap, apo që ndonjë shef i Rrugores të shkarkohet, qoftë edhe për dobësi profesionale që mund të jenë bërë shkak për të mos parandaluar dot qoftë edhe një aksident të vetëm. Ç’është e vërteta, nëpër rrugët tona ka plot policë. Por çfarë bëjnë këta?! Vënë gjoba. Gjoba e gjoba. Gjobëvënësit e Tahirit mendojnë se, aksidentet parandalohen vetëm me gjoba, se fjalët e mira të shefave vijnë vetëm me vendosje gjobash, se Arka e Shtetit mbushet me gjoba, e kështu me radhë. Po problemet teknike të automjeteve, përse nuk kontrollohen; po dokumentacioni, përse nuk kontrollohet? Pa përmendur pastaj infrastrukturën rrugore, sinjalistikën, etj., për mangësitë e të cilave, asnjëherë, nuk kemi dëgjuar të nxirret përgjegjësia. Policët e Tahirit dinë vetëm një gjë: të vënë gjoba. Prandaj rrugët e Shqipërisë përgjaken çdo ditë.

TRAGJEDIA

Edhe dje tre të rinj, kushërinj të parë, të cilët ktheheshin nga një dasmë, pas një aksidenti në afërsi të fshatit Kosovë e Vogël, në Lushnjë, humbën jetën. Në mjetin e tyre udhëtonin 4 persona, prej të cilëve vetëm njëri mundi të shpëtojë. Viktimat janë M. R.,19 vjeç, F. R., 20 vjeç i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit dhe i riu i tretë që humbi jetën është 20 vjeçari S. Sh. Ndërsa F. M., 15 vjeç, arriti t’i mbijetojë aksidentit fatal. Të rinjtë ishin banorë të fshatit Çinar në Komunën e Fier-Sheganit. Sipas të dhënave të policisë, makina tip “Benz” me portobagazh me targa AA953 AZ ka humbur kontrollin në kthesë, është përplasur me bordurën dhe ka përfunduar në kanal, ku niveli i ujit arrinte 2-3 metra thellësi.

Bëhet e ditur se, mjeti me të cilin udhëtonin të rinjtë nuk ka qenë me shpejtësi. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 3 të rinjtë kanë gjetur vdekjen vetëm nga mbytja, në trupin e tyre nuk janë konstatuar plagë tipike të aksidentit. 15- vjeçari që mundi të shpëtonte, Francesko Mara, ndodhet në spitalin rajonal të Lushnjës dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Asllan SARAÇI