VIDEO/ Zjarre të fuqishëm në Dajt i afrohen Gardës, edhe tuneli Tiranë – Elbasan i rrethuar nga flakët

522
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 9 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Situata paraqitet e vështirë në rrethinat e Tiranës dhe Gramshit, ku Emergjenca Civile njofton se zjarri po vazhdon në afërsi të Repartit të Gardës në Malin e Dajtit ku 2 automjete zjarrfikëse ndodhen aty në veprim. Po ashtu, ende nuk është shuar zjarri në afërsi të tunelit Tiranë – Elbasan, tek një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje janë 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues krahas forcave ushtarake. 

SITUATA E PLOTE NE VEND
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar punonjës zjarrfikës, automjete zjarrfikëse, personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, punonjës vullnetarë, të Pyjores dhe nga Drejtoria e Zonave të Mbrojtura, etj, të mbështetur dhe nga helikopterë. Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

Qarku Dibër. 
Në vendin e quajtur “Gurra e Sllatinës” në fshatin Sllatinë, Njësia Administrative Sllovë, bashkia Dibër, u krye operacione nga ajri për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u përshkrua një sipërfaqe rreth 20 ha me pemë pishe. Nje tjeter operacion me helikopter u krye ne Ulëz të Burrelit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 6 dynym me dushk të ulët dhe pemë lisi.

Qarku Vlorë. 
Ka vazhduar operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Dukat të bashkisë Vlorë, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë. Shërbimi i MZSH Vlorë së bashku me forca ushtarake dhe forca nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura kanë punuar gjatë gjithë ditës së djeshme dhe kanë shuar plotësisht zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 60 ha me shkurre.

Zjarri i rënë disa ditë më parë, në një sipërfaqe me shkurre, në fshatin Tragjas, Njësia Administartive Orikum, bashkia Vlorë ka vazhduar edhe ditën e djeshme. Shërbimi i MZSH Vlorë nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të vështirë. Zjarri u vu nën kontroll pasi në ndihmë kanë ardhur 2 avionë nga Greqia të cilët sipas komunikimeve të bëra në QKOEC, kanë kryer 2 hedhje me ujë në vatrat e zjarrit që ishin shumë problematike. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.

Qarku Elbasan. 
Në Liqenin e Dushkut, Njësia Administrative Lenie, bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha.
Shërbimi vendor i MZSH Gramsh, ka shkuar në vendngjarje, por e ka pasur të pamundur për të vepruar me automjet zjarrfikës për shkak të terrenit të thyer malor.
Forcat ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por nuk kanë arritur të shuajnë zjarrin. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e kosiderueshme me shkurre dhe pisha.

Qarku Berat. 
Tek Parku i Rezervatit të Bogovës, Njësia Administrative Bogovë, bashkia Skrapar, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Skrapar nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.

Qarku Durrës. 
Në fshatin Zgërdhesh, Njësia Administrative Fushë-Krujë, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Krujë ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 200 rrënjë ullinj.

Qarku Tiranë. 
Në afërsi të tunelit të aksit nacional Tiranë-Elbasan, Njësia Administrative Krrabë, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues. Forcat ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por nuk kanë arritur të shuajnë zjarrin. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e kosiderueshme me shkurre.

Në afërsi të Repartit të Gardës, në Malin e Dajtit, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.

Sigal