VIDEO/ Nxënësja shqiptare mbante flamurin, huliganët e “Agimit të Artë” prishin paradën në Greqi

90
Mbështetësit e ekstremit të djathtë “Agimi i Artë” në Greqi kanë prishur një paradë shkollore me arsyen se flamurin e mbante një nxënëse shqiptare shkruan media greke Taxydromos.gr.
Ngjarja ka ndodhur në ishullin e njohur të Santorinit, ku rreth 20 vetë me bluza të zeza që protestonin se pse flamurin e paradës e mbante një fëmijë shqiptar.
“Jemi grekë dhe flamurin duhet ta mbajmë ne,” ishin thirrjet që dëgjoheshin nga ekstremistët e “Agimit të Artë”.
Edhe pse ata u përballën me kundërshtimin e të pranishmëve, parada u prish dhe prindërit hoqën fëmijët e tyre nga vendngjarja.
Vetë partia “Agimi i Artë” publikoi lajmin në faqen zyrtare. “Dega e Santorinit e Agimit të Artë dhe qytetarë vendas, e ndërprenë paradën, në shenjë proteste energjike për fyerjen e simbolit kombëtar (flamurit), dhe duke theksuar se nuk do të lejojnë fenomene të tilla antigreke në ishull”, thuhet në njoftimin e Agimit të Artë.
Ky akt u dënua me forcë nga partitë e tjera greke, ndërkohë që Ministria greke e Arsimit deklaroi se patriotizma të tilla ekstreme nuk kanë vend në shoqërinë greke.