VIDEO/ Nga 600 euro deri në 12 mijë paund për dokumente false, goditet grupi me 16 anëtarë në Fier

154
Policia e Fierit ka goditur një grup kriminal me 16 anëtarë që akuzohen për falsifikim dokumentesh e kartëmonedhash si dhe favorizim të migracionit të paligjshëm në saj të operacionit “Pagesa e fundit”.
Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, Drejtoria Vendore e Policisë Fier në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, gjatë ditës së sotme kanë realizuar goditjen e një tjeter grupi kriminal me 16 anetarë në fushën e falsifikimit dhe favorizimit të emigracionit të paligjshëm.
Mbi bazën e materialeve të referuara nga Strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finanaciar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, regjistroi procedimin penal në vitin 2017, për veprat penale “Falsifikimit te dokumentave”, “Falsifikimi i monedhave”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” në ngarkim të disa personave të dyshuar për këto vepra penale.
Pas një hetimi disa mujor të kryer nga strukturat e Task Forcës në Drejtorinë Vendore të Policisë dhe Prokurorisë Fier, nëpërmjet përdorimit të metodave speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u bë i mundur të finalizohet me sukses operacionin policor i koduar “PAGESA E FUNDIT”.
Në përfundim të këtij operacioni, i cili u krye në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Korçë, Vlorë e Berat, si rezultat i masave të shpejta operacionale policore e proceduriale të kryer nga strukturat e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin DPPSH, duke bashkëpunuar me Prokurorine e rrethit u bë i mundur arrestimi i shtetasve dhe ekzekutimi i urdhërave të lëshuara nga Gjykata:
– Jetnor Hoxhaj, 42 vjeç, banues në lagjen “29 Nëntori”, Fier.
– Eris Koliçi, 28 vjeç, banues në lagjen “Sheq i Madh”, Fier.
– Xhevahir Myrtaj, 53 vjeç, banues në lagjen “Liri”, Fier.
– Artan Haxhiu, 33 vjeç, banues në lagjen “Mborostar Ura” Fier.
– Kostaq Papa, 31 vjeç, banues në Lagjen nr. 1, Sarandë.
– Enton Lahollari, 37 vjeç, banues në Lagjen Nr. 5, Pogradec.
– Artan Hasani, 48 vjeç, banues në rrugën e Qelqit, Tiranë.
– Barjam Hoxha, 57 vjeç, banues në Kuçovë, i dënuar më parë për veprën penale të mashtrimit.
Në kuadër të këtij operacioni, po hetohen në gjendje të lirë me masën e sigurimit “Detyrim paraqitje” shtetasit:
– A.H., 62 vjeç, banues në Fier.
– A.N., banues në Fier.
– I.S., 48 vjeç, banues në Tiranë.
– D.S., 32 vjeç banues në Durrës.
– P.B., banues në Fier
– I.G., banues në Fier
Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve:
– S.P., 41 vjeç, banues në Fier.
– V.Gj., 65 vjeç, banues në Korçë.
Shtetasit S.P., Jetnor Hoxhaj, Eris Koliçi, A.H, Xhevair Myrtaj, Artan Haxhiu dhe A.N., të gjithë banues në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prej vitit 2017, ushtronin aktivitetin kriminal në fushën e falsifikimit të monedhave, falsifikimit të dokumentave shkollorë, dokumentave të gjendjes civile, të pasaportave, dokumentave të emigrimit dhe të qëndrimit në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, Kanada, Mbretëri e Bashkuar, Irlandë etj.
Keta shtetas u merrnin porosi për pajisjen me dokumenta te falsifikuar, personave të ndryshëm me banim në Fier, Lushnje, Mallakastër, nga Qarku i Beratit, Korçës, Vlorës, kundrejt pagesave që varionin nga 600 Euro deri 12,000 Paund.
Porositë merreshin për të nxjerrë dokumente shkollor, pasaporta, leje qendrimi, leje drejtimi, qarkullim të monedhave të falsifikuara, dokumente të falsifikuara për në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
Shtetasi S.P. dhe Jetnor Hoxhaj pasi i merrnin këto porosi, nëpërmjet shtetasve Eris Kolici dhe A.H, i dërgonin me automjete të ndryshme të transportit të udhëtarëve si furgona, taksi, autobusa për në Tirane te shtetasi Artan Hasani, i cili merrej me prodhimin e tyre.
Dy-tre ditë pasi prodhoheshin këto dokumenta në Tiranë, shtetasi Artan Hasani i niste në të njejtën rrugë për në Fier, ku dilnin dhe i prisnin shtetasit Eris Kolici dhe A.H, të cilët sipas porosive të shtetasit S.P. dhe Jetnorit ua shpërndanin personave që kishin porositur.
Në lidhje me këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Fier, në datën 10 mars 2018 ka dhënë masën e sigurimit “Arrest me burg” dhe “Detyrim paraqitje” pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin dyshohet se kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumentave”, “Falsifikimi i monedhave”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” të parashikuar nga nenet 186/2, 183/2 dhe 189/2 të Kodit Penal.
Për të gjithë shtetasit e mësipërm ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Po gjatë operacionit janë sekuestruar prova të shumta materiale, të cilat për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije.
Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij grupi.