VIDEO/ Dy mijë lekë ryshfet policit pasi i dështoi tentativa për t’u larguar, pranga shoferit 35-vjeçar

579
Sigal

Policia Rrugore e Tiranës godet një rast të “mitdhënies”, duke vënë në pranga një 35-vjeçar me inicialet A.M. Ndalimi i tij është bërë në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Xhorxh W Bush”. Sipas uniformave blu, shërbimet e Policisë Rrugore i kanë shenjë ndalimi automjetit tip “Citroen” me targë AA 374 OZ, i cili fillimisht nuk ju bind shenjës së ndalimit duke u larguar, dhe pas ndjekjes nga patrullat e Policisë Rrugore u bë i mundur ndalimi i tij në rrugën e “Barrikadave”.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit, drejtuesi i mjetit me iniciale Alfred M, i ka dhënë një kartmonedhë 2000 lekë të reja agjentit verifikues, për të shmangur verifikimet e mëtejshme dhe ndëshkimin për kundravajtjen e konsumuar.

Pas këtij veprimi, ai u ndalua në kushtet e flagrancës së drejtuesit të mjetit për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë edhe dy drejtues mjetesh për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, si dhe u pezulluan 26 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe shpejtësi tej normale të lejuara.

NJOFTIMI I POLICISE
Nga shërbimet e Policisë Rrugore të kryeqytetit, gjatë zbatimit të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave përgjatë fundjavës, me objekt kryesor konstatimin e drejtuesve të mjeteve nën efektin e alkoolit, rreth orës 02:50 në rrugën “Xhorxh W Bush” i kanë dhënë shenjë ndalimi automjetit tip “Citroen” me targë AA 374 OZ, i cili fillmisht nuk ju bind shenjës së ndalimit duke u larguar dhe pas ndjekjes nga patrullat e Policisë Rrugore u bë i mundur ndalimi i tij në rrugën e “Barrikadave”.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit, drejtuesi i mjetit me targë AA 374 OZ, me iniciale Alfred M., 35 vjeç, i ka dhënë një kartmonedhë 2000 lekë të reja, agjentit verifikues, për të shmangur verifikimet e mëtejshme dhe ndëshkimin për kundravajtjen e konsumuar.

Menjëherë u bë kapja dhe arrestimi në kushtet e flagrancës së drejtuesit të mjetit për veprë penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal si dhe u përpilua procesverbali i konstatimit të shkeljes për mosbindje ndaj shenjës së ndalimit të oficerit të policisë rrugore dhe drejtim i mjetit nën efektin e alkoolit në masën 0.42 mg/l.

Gjithashtu nga kontrollet policore u verifikuan dhe :

• U arrestuan në kushtet e flagrancës edhe dy drejtues mjetësh për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt( pa Leje Drejtimi e tjetri për drejtim mjeti në gjendje të dehur)

• U pezulluan 26 leje drejtimi, nga këto: 12 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 14 për shpejtësi tej normale të lejuara.

• U penalizuan 7 drejtues mjetesh për mosrregullim shpejtësie veçanërisht në qendrat e banuara dhe gara me shpejtësi.

• U penalizuan 8 drejtues mjetesh per xhama të errësuar.

• Ndërkohë, në zbatim të Planit Operacional TISPOL 2018 për mjetet debitore, u verifikuan dhe u ndaluan administrativisht 25 mjete për detyrime të pashlyera.