Vetëvrasjet, shkak varfëria dhe papunësia. Policia: “Nuk mund t’i ndalojmë, nevojë urgjente për psikologë”

436
Sigal

Rritet varfëria, papunësia, rritet numri vetëvrasjeve

Rritja e numrit të familjeve të varfra dhe rritja e numrit të personave që po humbasin çdo ditë vendet e punës, ka sjellë natyrshëm edhe rritjen e problemeve sociale, ku ndër më të mprehtat mbetet edhe vetëvrasja. Duke mos përballuar problemet ekonomike dhe të tjerat që sjellin çdo ditë zhytjen drejt varfërisë, duke humbur shpresën për ditë më të mira, shqiptarët, pa dallim seksi dhe moshe, shpesh zgjidhjen po e gjejnë tek vetëvrasja. Rritja e numrit të tyre ka alarmuar organet dhe strukturat e shtetit, duke nisur nga policia, shoqëria civile, institucionet shkollore etj. Është një fenomen që për çdo vit shkakton dhjetëra viktima dhe kurba e tij vazhdimisht pëson rritje. Ky  problem social ka prekur në mënyrë tragjike edhe fëmijët, madje nxënës shkollash, që gjenden nën trysninë e sekteve fetare, apo problemeve ekonomike që kalon familja e tyre. Ky fenomen aq tragjik, që ka gjetur përhapje vitet e fundit tek çdo moshë, duhet të alarmojë shtetin, strukturat që diktojnë  dhe privojnë  qytetarët nga vendet e punës, tek shikojnë vajza e djem të rinj, nëna e burra, që marrin vendimin e fundit ndaj jetës së tyre, duke menduar se gjejnë shpëtim. Fostoksina quhet helmi, të cilit dikur nuk  i dihej emri pasi ishte pjesë e punës e kimistëve. Ky  helm, thonë mjekët, “ka aftësinë që të shpërbëjë molekulat e oksigjenit në gjakun e njeriut e për pasojë organizmi mbytet”. Me këtë helm dhjetëra nëna i kanë dhënë fund jetëve të tyre duke lënë pas fëmijët të cilëve ju duhet të përballojnë mbijetesën. Për të treguar përmasat e vetëvrasjeve dhe të vdekjeve aksidentale, mjafton të rendisësh në mënyrë dinamike rastet e 3 muajve të fundit, dhe bindesh se krimi ndaj vetes (vetëvrasja) mbetet kërcënimi dhe kambana e alarmit që deri sot nuk ka shqetësuar  dukshëm asnjë qeveri që ka ardhur me premtimin se do ta ndalojë atë. Statistikat flasin për rritje të numrit të rasteve të vetëvrasjeve në shkallë vendi. Ky vit ka qenë i mbushur me raste të tilla, pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë. Psikologët nxjerrin si shkaktar kryesor  tranzicionin e egër. Sipas tyre, tranzicioni i gjatë po shoqërohet edhe me fenomenin e vetëvrasjes për shkak të vështirësive social ekonomike, të cilat në disa raste janë të papërballueshme nga familje në vështirësi ekonomike. Kurse policia duket si e dorëzuar përpara këtij fenomeni. Hetuesit, të cilët merren me zbardhjen e këtyre rasteve në pjesën më të madhe i mbyllin këto dosje në mënyrë mjaft të thatë dhe nuk japin konkluzione, kurse viktimat marrin me vete edhe shkaqet e vetëvrasjeve. Asnjëherë nuk është thënë e vërteta, madje, edhe kur ajo është zbuluar. Dhe ajo është mbajtur e fshehtë për të mos lënduar sedrën familjare të viktimës. Por ashtu si në mjekësi thuhet se po nuk u zbulua sëmundja është e pamundur që të gjendet ilaçi i duhur, kështu ngjet edhe me këtë plagë sociale së cilës po nuk ju zbuluan shkaqet kurrë nuk do t’i gjenden rrugët e shpëtimit.

A.A