Veliaj: “Në qendrat tona sociale kemi strehuar 135 persona, Tirana është qyteti më solidar”

412
Sigal

Kreu i Bashkisë
së Tiranës shërbeu mëngjesin për 40 persona që kaluan natën në Qendrën Sociale
në Laprakë

 

Më shumë se 135
persona, një pjesë e të cilëve janë fëmijë, e kanë kaluar natën në qendrat
sociale të Bashkisë Tiranë, ku veç strehimit kanë marrë dhe ndihmën e
nevojshme në ushqime dhe veshmbathje, duke i bërë kështu ballë të ftohtit të
acartë që ka prekur edhe Tiranën. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
shërbeu sot mëngjesin për rreth 40 prej tyre të strehuar në qendrën sociale në
Laprakë, ku ofrohet ndihmë për të gjithë të pastrehët që e kaluan natën në një
ambient të ngrohtë. Veliaj falenderoi shërbimet sociale, por edhe të gjithë ata
qytetarë dhe biznese që i janë përgjigjur thirrjes për t’i ardhur në ndihmë
individëve që në këto ditë të ftohta janë në nevojë.

 

“Ka qenë një
punë e admirueshme nga të gjithë qytetarët. Unë besoj se Tirana nuk është
qyteti më i mirë se ka më shumë para apo ka më shumë infrastrukturë, por sepse
ka më shumë solidaritet. Ndaj dua të falenderoj të gjithë ata që kanë
kontribuar me veshmbathje, qytetarë të thjeshtë që kanë trokitur te dera e
fqinjit për t’u siguruar që fqinji i moshuar është në gjendje të mirë
shëndetësore dhe nuk ka pasur probleme gjatë natës. Dua t’i falenderoj me
gjithë zemër, ky është padyshim qyteti më solidar”, tha kryetari i Bashkisë së
Tiranës. Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore
që kanë bërë të mundur që këtë emergjencë deri më tani ta përballojnë me
sukses. 

 

“E vlerësoj
faktin që kemi pasur zjarrfikësen në dispozicion dhe në gatishmëri absolute.
Gjatë natës kemi pasur disa raste hipotermie, kryesisht qytetare të moshuara që
jetojnë vetëm, por falë ndërhyrjes së komshinjve, kanë shpëtuar jetë njerëzish.
Besoj që të gjithë bashkë në Tiranë, me këtë lloj solidariteti, kemi shpëtuar
135 jetë njerëzish, që sot strehohen në qendrat tona sociale, por që deri dje
ishin në gjendje të pastrehë, në situatë rruge”, shtoi Veliaj. Ai kërkoi edhe
një herë bashkëpunimin e qytetarëve, sidomos atyre që kanë familjarë në gjendje
rruge, që në këto ditë të ftohta të tregohen më njerëzor dhe t’i ndihmojnë për
të shmangur çdo fatkeqësi, pasi nata e sotme parashikohet që të jetë edhe
më e ftohtë.

 

“Shumica prej
atyre me të cilët ndava mëngjesin sot, i kanë familjet e tyre, e kanë një të
afërm, por për një arsye të çfarëdoshme të tranzicionit të këtyre viteve janë
ndarë nga familjet e tyre. Ndaj, u bëj ftesë familjeve që të rrinë pranë,
sidomos në kohë të tilla të vështira. Sot temperaturat do të ulen më shumë, nga
-7 që ishin natën e kaluar, do të shkojnë në -14. Do të thotë që më e vështira
është ajo që vjen, jo ajo që kaloi, ndaj i ftoj të gjithë qytetarët të kenë
kujdes për fqinjët, sidomos për ata që janë të moshuar, të kenë kujdes për
fëmijët të mos i lënë jashtë sidomos gjatë orëve të mbrëmjes kur temperaturat
do të jenë më të ulëta, të memorizojnë 0800 0888 numrin
e bashkisë, dhe 112 numri i të gjithë emergjencave”, theksoi
kryebashkiaku. 

 

Veliaj i ka bërë
thirrje po ashtu edhe atyre bizneseve që kanë mundësi të ndihmojnë, të shkojnë
pranë qendrave sociale të Bashkisë Tiranë dhe të ofrojnë ç’të munden për
personat e strehuar në to. Ai shtoi se Bashkia ka rritur numrin e qendrave
pritëse nga 4 në 7, ndërsa është e përgatitur që të përballojë çdo fluks
që mund të vij. 

 

Drejtoresha e
Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale në Bashkinë e Tiranës, Anisa Ruseti theksoi
se veç qendrave sociale janë vënë në dispozicion të atyre që po përballen me të
ftohtin edhe njësitë administrative dhe një palestër. “Sot kemi arritur në
kapacitet prej 135 personash. Kemi hapur edhe njësitë administrative, një
palestër shkolle në njësinë nr. 8. Gjithë stafi administrativ dhe qendrat
sociale janë në gatishmëri të plotë për të përballuar situatën. Sigurisht,
njerëzve të cilët janë asistuar nga Policia Bashkiake për t’u sjellë në këto
pika pritëse të hapura, nga Bashkia e Tiranës u është ofruar ushqim, veshmbathje
dhe një vend i ngrohtë ku mund të kalojnë natën”, tha Ruseti.