Vdes në burgun e Rrogozhinës ish-drejtori i arrestuar për korrupsion

489
Ndërron jetë në spital, një drejtor i arrestuar disa javë më parë për korrupsion. Robert Shtëmbari është arrestuar me 4 nëntor 2015, për korrupsion, ndërsa ai mbante detyrën e drejtorit të Emergjencave në Lushnje. Sipas drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve,Robert Shtëmbari, i paraburgosur prej muajit nëntor 2015 pranë IEVP Rrogozhine, ka pësuar një atak kardiak pasditen e sotme.
“Sapo ka ndodhur ngjarja, rreth orës 16:40, është njoftuar mjeku roje i institucionit, i cili ishte prezent dhe ndërhyri menjëherë. Pas dhënies së ndihmës së parë në institucion, i paraburgosuri është nisur për trajtim të specializuar në qendrën shëndetësore Rrogozhinë, ku ka mbërritur në orën 16:50. Rreth 20 minuta pas paraqitjes aty, i paraburgosuri ka ndërruar jetë. Sqarojme se ky person vuante nga tensioni i larte, gjë për të cilën trajtohej rregullisht.
Vetëm dy ditë më parë ai është shoqëruar për një vizitë tek mjeku specialist (kardiak)”, thuhet në njoftimin zyrtar. Në momentet e arrestimit, 55-vjeçari i kishte premtuar një qytetari nga Lushnja punësim në këmbim të një milion lekëve të vjetra. Nga hetimet paraprake është konstatuar se ai i ka marrë këto para. Mësohet se qytetari në fjalë, pasi është lodhur me pritjen e gjatë për të nisur punë, e ka denoncuar dhe ka bashkëpunuar me drejtësinë, duke siguruar prova, të cilat kanë vënë në pranga drejtorin e Emergjencave Civile të Lushnjës.
Sigal