Vdes ditën që do merrte dekoratën

495
Sigal

Sarandë: Është prishur disi atmosfera e gëzueshme e ditës së shtunë, ku në axhendën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë është ceremonia e dhënies së tre dekorimeve ne qytetin e Sarandës me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Dhe kjo për arsyen se njëri prej personaliteteve te vlerësuara me këtë dekoratë të lartë, Vasil Partali, është ndarë nga jeta një ditë para se të prekte me duar titullin e lartë. Dhe, pikërisht, në orën 11 të paradites së të shtunë, ora kur do merrte dekoratën, ai do përcillet me homazhe dhe nderime nga banorët e Sarandës për në varrezat e qytetit për t’i dhënë lamtumirën e fundit qytetarit të nderuar, tanimë edhe me titullin e lartë si Mjeshtër i madh i Punës.

Vasil Partali është mësuesi i parë në Sarandë me arsimin e lartë pas mbarimit të fakultetit Histori-Filologji të UT-së më 1956 për degën Gjuhë dhe Letërsi Ruse. Emërohet drejtor i parë i shkollës së mesme të Konispolit dhe, një vit më pas, drejtor i gjimnazit të Sarandës, duke mbajtur meritën e hedhjes së bazave të arsimit të mesëm në Sarandë. Ai mbahet mend nga nxënës dhe kolegë si korrekt, kërkues, organizator me vizion të qartë, me kulturë të gjithanshme, kompetencë profesionale. Gjithashtu ka qenë përgjegjës i qendrës së konsultimeve dhe provimeve të ILP të Shkodrës dhe Gjirokastrës pas vitit 1972. Ka drejtuar me kompetencë kualifikimin e përgjithshëm unik të mësuesve, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së punës mësimore –edukative të mësuesve në shkollat e rrethit. Është hartues i teksteve mësimore në vitin 1970 “Gjuha shqipe 3 dhe 4” për shkollat e minoritetit grek. Më 1985 boton fjalorin Shqip-Greqisht. Për punën e tij ai është nderuar nga kuvendi popullor i RPSSH me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit 2 dhe 3. Më 2003 Bashkia Sarandë i jep “Diplomë Nderi”, ndërsa më 2010-n nënprefektura e Sarandës i akordon “Certifikatë mirënjohjeje”. Ndërsa sot do të merrte titullin “Mjeshtër i madh”, që fatkeqësisht nuk mundi ta prekte me duar. Vasili iku duke marrë me vete dekoratën e mirënjohjes së përjetshme të qytetit dhe qytetarëve që u shërbeu me devotshmëri për 50 vite rresht në arsimimin bashkëkohor.
I qoftë dheu i lehtë e u prehtë i qetë!

Agron Mema