Vdekja e gruas së futbollistit, dëshmon nëna: Mjekët e neglizhuan

421
Hamide Haka dëshmoi dje në gjykatë për vdekjen e vajzës së saj 25 vjeçare, Dorjana Haka, e cila humbi jetën pak ditë pasi lindi një fëmijë me operacion. Dëshmitarja ishte dje në gjykatë në procesin gjyqësor ndaj dy mjekëve të vënë në përgjegjësi penale për këtë ngjarje. E ndjera, bashkëshorte e futbollistit të “Partizanit”, Alban Hoxha, humbi jetën në nëntor të vitit 2014, pasi lindi fëmijën.
Në një gjendje tejet të rënduar emocionale, gruaja e veshur me të zeza rrëfeu për ditët kur humbi vajzën e saj. Herë pas here kryesuesi i seancës, gjyqtari Altin Abdiu, i sugjeroi dëshmitares të pushonte nëse nuk ishte në gjendje fizike të pamundur për të vijuar dhënien e dëshmisë. Hamide Haka tha se vajza e saj kishte qëndruar vetëm një ditë në maternitet para operacionit dhe asaj i ishte bërë vetëm një konsultë. Ajo tha se kishte parë dosjen klinike të vajzës së saj që përbëhej vetëm nga dy faqe dhe hodhi akuza për stafin mjekësor se e kanë mbushur pas vdekjes së vajzës së saj. Të pandehurit e kësaj dosjeje, kirurgu P.Rexhepi dhe anestezistja E.Burba akuzohen nga prokuroria për “mjekim të pakujdesshëm”. Sipas Prokurorisë, vdekja e nënës së re ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve dhe moskryerjes prej tyre të analizave të nevojshme para dhe pas operacionit.
Sigal