Ushtronte aktivitet me lojëra të jashtëligjshme, arrestohet në flagrancë 27-vjeçari

Policia e kryeqytetit ka arrestuar në flagrancë një 27-vjecar pasi ushtronte aktivitet të palejuar të lotarive duke përdorur një certifikatë të falsifikuar regjistrimi në emër të një shoqërie kazinoje. Në pranga është vendosur A.B 27 vjeç, banues në Tiranë.

“Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi më datë 15.02.2017, në Rrugën “3 Dëshmorët”, në Yzberisht, gjatë një kontrolli të ushtruar në një sallë lojërash në administrim të tij, u konstatua aktivitet i palejuar i lotarive, duke përdorur një certifikatë të falsifikuar regjistrimi në emër të një shoqërie kazinoje”- thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale policia gjeti dhe sekuestroi 12 aparate elektronike të lojërave të fatit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.