U sulmuan pas diskos, tre shqiptarët shpëtojnë gratë në Gjenevë

445
Sigal

Gratë nuk kishin asnjë mundësi për t’u mbrojtur kundër sulmit të keq të banditëve. Vetëm tre shqiptarë nga Kosova kanë arritur t’i dëbojnë autorët. Gjatë këtij sulmi, të plagosura mbetën pesë femra. Njëra nga to ka mbetur e shtrirë në dysheme pa ndjenja.

Një shoqe e saj e ndriçon në sy me dritën e telefonit të saj – por ajo nuk reagon. Vetëm disa ditë më vonë, ajo ka arritur të zgjohet nga koma. Edhe sot e kësaj dite, viktima nuk mund të shkojë në punë, për shkak të pasojave nga sulmi. Madje nuk i kujtohet incidenti, shkruan “Tribune de Genève”, përcjell Albinfo.ch.

Mëngjesin e së hënës Policia franceze arrestoi tre persona të dyshuar që ishin përfshirë në sulmin në Gjenevë. Prokurorja publike e Annecy thotë: Të dyshuarit duhet të jenë një grup prej të paktën gjashtë personash.

Të tre të dyshuarit dolën para gjykatësit hetues dhe pranuan se natën e kobshme kishin qenë në vendngjarje, por mohuan ndonjë përfshirje.

Të gjithë shtetas francezë dhe midis moshës 20 dhe 25 vjeç. Tre të rinjtë janë nga rajoni i Thonon-les-Bains dhe të gjithë tashmë janë të njohur për krime të ndryshme.

Ndërsa tani, pothuajse një muaj e gjysmë pas sulmit, janë zbardhur detajet e natës horror të Gjenevës. Gazeta “Tribune de Genève” ka rindërtuar sulmin në bazë të dëshmive të grave dhënë policisë.

Katër gratë kishin shkuar në klubin “Le Petit Palace” në zemër të Gjenevës. Pas orës 03.00 të mëngjesit, njërës prej tyre i afrohet një i huaj dhe e fton për një pije. Gruaja e re e mban mend mirë këtë person, sepse krahun e kishte vënë mbi banak.

Megjithatë, ajo e refuzon ofertën e tij dhe kthehet në pistën e vallëzimit me shoqet e saj. Aty, gjithashtu, një grua tjetër nga grupi ftohet nga një person tjetër. Më vonë, ai është përshkruar si i hollë dhe me flokë të zinj. Përveç kësaj, asaj mbrëmje në diskotekë ai kishte veshur një këmishë të verdhë me kafkë dhe kryqe mbi të.

Për grupin, mbrëmja përfundon pak më vonë në “Le Petit Palace”. Gratë e lënë lokalin mes orës 04.00-05.00 për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, kur atyre iu bashkua një grua tjetër e re që ishte e rrethuar me persona të panjohur dhe e sulmuar fizikisht. Shoqet nuk kanë ngurruar dhe kanë dashur ta ndihmojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Por papritur ato e gjejnë veten të përfshirë në një konflikt të egër.

Falë ndërhyrjes së tre shqiptarëve nga Kosova, gratë mundën të shpëtonin nga sulmi.
Sipas deklaratave të grave dhënë policisë, ato u sulmuan nga pesë persona dhe janë goditur me shqelma. Midis sulmuesve dyshohet se ka qenë edhe personi që e kishte vendosur krahun mbi banak.

Në fillim të kësaj jave, hetuesit kanë arritur t’i arrestojnë tre autorët e sulmit, gjë që ka shkaktuar lehtësim shpirtëror tek viktimat. Avokati i viktimave, Robert Assawl, është duke shpresuar se ndaj tyre do të jepet ndonjë vendim i ashpër. “Ky është një sulm shumë i rëndë. Prandaj sulmuesit duhet të akuzohen për vrasje në tentativë”.