U nis nga Himara me 2 ton kanabis, grekët qëllojnë skafin nga helikopteri. Në bord edhe armë, pranga 6 shqiptarëve

610
Trafiku, si u shpëtoi radarëve skafi me 1.6 ton drogë që u kap në Greqi
Vazhdon kalimi i tonelatave të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Italisë, arrestohen autorët e mundshëm, ndjekja nga autoritetet greke
Ndërsa debati për kanabizimin e vendit ende nuk është mbyllur, kur prokuroria dhe policia janë përplasur me njëra-tjetrën për shkak të hetimeve që kryhen lidhur me këtë fenomen, skafet, vazhdojnë të ngarkohen në brigjet tona për ta kaluar qetësisht në Greqi dhe Itali. Autoritetet greke, njoftuan se kapën jo pak por 1.6 ton drogë, e cila ishte ngarkuar në Himarë. Janë prangosur deri më tani 10 persona mes të cilëve 6 shqiptarë, në operacionin e policisë greke një natë më parë ku u ndalua gomonia që vinte nga Shqipëria. Të dhënat e operacionit janë bërë të ditur pasditen e kësaj të diele nga Policia greke e cila doli në një komunikatë zyrtare lidhur me atë që kishte ndodhur. Sipas autoriteteve të vendit fqinj, policia kishte rënë në gjurmët e organizatës ndërkombëtare të trafikut të drogës, dhe kishte dijeni për gomonen e mbushur me drogë që do të vinte nga vendi ynë. Për këtë arsye, organizoi një operacion special në të cilën morën pjesë skafe të policisë, avion i FRONTEX, helikopterë dhe snajperistë. Gomonia u vrojtua teksa hyri në brigjet shqiptare, u ngarkua aty dhe në kthim, teksa u fut në ujërat greke nisi ndjekja. Trafikantët hapën zjarr ndaj një skafi të policisë greke. Skafi i policisë iu kundërpërgjigj, por teksa kreu manovra, disa policë ranë në det duke u plagosur. Pas përpjekjeve gomonia u ndalua midis Makronisit dhe ishullit Kea pas goditjes nga snajperistët që ndodheshin në helikopter, të cilët kanë vepruar në kushte të vështira, për shkak të shpejtësisë së madhe të gomones dhe errësirës. Brenda në gomone u ndaluan 2 shqiptarë dhe 1 italian, njëri prej të cilëve u transportua me autoambulancë drejt spitalit “Evangelismos” të Athinës, sapo mbërriti në portin e Pireut për shkak të disa lëndimeve. “Operacioni vijoi me disa arrestime, konkretisht 4 shqiptarë të tjerë, 1 italian, 1 bullgar dhe 1 grek, ndërsa disa janë shpallur në kërkim, duke e çuar numrin e të arrestuarve në 10 në total. Duhet thënë se trafikantët kanë hedhur në det gjatë ndjekjes edhe sasi të tjera droge, arme dhe materiale të tjera, megjithatë veç drogës dhe gomones me 3 motorë nga 350 kuaj fuqi secila, u sekuestrua gjatë kontrolleve dhe një tjetër gomone me 4 motorë me nga 350 kuaj fuqi secila, disa armë dhe materiale të tjera,” thuhet në komunikatën e policisë greke vetëm pak minuta më parë. Ndërkohë identiteti i shqiptarëve nuk është bërë i ditur ende. Sakaq, lajmi për kapjen e gomones u bë publik mbrëmjen e së shtunës, duke u raportuar sasia e madhe e drogës dhe shkëmbimi i zjarrit. Në Athinë gjatë kontrolleve në një nga pronat e personave të arrestuar është sekuestruar një tjetër gomone e fuqishme me 4 motorë prej 350 kuaj fuqi. Gomonia e parë që u bllokua është me tre motorë e 350 kuaj fuqi, ndërsa nga operacioni u plagos një shqiptar dhe të paktën një polic grek, ndërsa sipas mediave të vendit fqinj gomonia me drogë ishte nisur nga Shqipëria.
Sigal