U masakrua me thikë dhe u hodh në plehra, arrestohet i dyshuar i vrasjes së 82-vjeçarit

457
Rreth 24 orë pas ngjarjes makabre që tronditi qytetin e Fierit por jo vetëm, Policia e këtij rrethi ka mundur të zbardhë vrasjen e 82-vjeçarit Novruz Likometaj dhe të arrestojë autorin e dyshuar. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit nga Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u bë ndalimi i shtetasit Skënder Krasniqi, 37 vjeç. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pas një pune intensive hetimore të Policisë dhe Prokurorisë Fier, si autor i dyshuar i vrasjes së Likometajt ndodhur më datën 21 nëntor. Sipas policisë vrasja ka ndodhur për motive të dobëta.

Ndërkohë burime brenda grupit hetimor kanë zbardhur detaje të tjera nga vrasja e ish-kreut të shoqatës së transportit, i cili ishte edhe biznesmen. Sipas njoftimit të bluve, bëhet me dije se trupi e tij është gjetur ditën e diel (dje) rreth orës 16:00 pasi është njoftuar patrulla e policisë së komisariatit të Policisë Fier se në një kosh mbeturinash në rrugën “Mal Nito” në lagjen “8 Shkurti” Fier , është konstatuar një kufomë e mbështjellë me një çarçaf të bardhë. Viktima është identifikuar më pas si shtetasi: Noke Likometaj, 82 vjeç, banues në lagjen “8 Shkurti’’, Fier. Policia saktëson se nga këqyrja e jashtme e kufomës rezulton se vdekja e personit ka ardhur si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara në trup nga sende të forta dhe mjete të forta të mprehta. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Fier për veprën penale “Vrasje me paramendim’’.

Kush është Novruz Likometaj? 
Novruz Likometaj, një ish-¬kryetar sindikate, kohët e fundit merrej me sipërmarrje private. Ai ishte baba i katër djemve dhe i dy vajzave, dhe prej kohësh jetonte vetëm me bashkëshorten, në lagjen “8 Shkurti”. Të afërmit e tij, thonë se Novruzi kishte një karakter të vështirë dhe se prej kohësh ishte ‘ftohur’ me fëmijët e tij. Për këtë arsye ata nuk kanë dijeni në lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm që mund t’i ketë sjellë vdekjen biznesmenit.
Sigal