Tritolvënësi Albert Stafa i merrte porositë nga burgu

123

Tiranë/Një nga 6 atentatet, ai ndaj Shkurt Toplanës, Komandantit të Shërbimeve në Komisariatin nr.6 në Tiranë

Albert Stafa, montuesi i eksplozivëve me celular, ka qenë kontakti i disa grupeve kriminale me pagesë që kryenin eliminime dhe shkatërrime me lëndë plasëse, ndërsa urdhrat për tritol vënie vinin nga një kapo në burgjet shqiptare. Ky është konkluzioni paraprak i grupit hetimor për këtë çështje, i konfirmuar në dy rreshta në komunikatën e ‘thatë’ të policisë. Po ashtu, sipas burimeve të mësipërme, i arrestuari në kushtet e flagrancës teksa po montonte tritolin me telekomandë, është protagonisti së paku në 6 atentate të tilla, ku njëri dyshohet të jetë atentati ndaj komandantit të shërbimeve të Komisariatit numër 6 të Policisë së Tiranës, Shkurt Toplana. Edhe pse komunikata thekson ‘dyshimin’ për këtë fakt (urdhër dhënia për tritolvënie nga një burg shqiptar), fuqia që kanë kapot në burgjet shqiptare për të komanduar vrasje kriminale, është një kambanë alarmi se mafia ka gjunjëzuar shtetin. Në fakt, ky alarm ka kohë që është dhënë nga ndërkombëtarët, (zbulimi dhe arrestimi i një grupi trafiku e shfrytëzimi prostitucioni me pjesëtarë në Itali e Shqipëri, komanduar na burgjet shqiptare), por nuk ka reagimin e duhur.

HETIMET PËR STAFËN
Mësohet se janë të paktën 6 raste të shpërthimeve, ku policia ka dalluar dorën e Stafës në mënyrën e montimit të lëndëve eksplozive me celular. Policia ka qenë e rezervuar në dhënien e informacioneve për ngjarjet, por të paktën njëra prej tyre dyshohet të jetë atentati ndaj komandantit të shërbimeve të Komisariatit nr.6 të Policisë së Tiranës, Shkurt Toplana.
Mësohet se oficeri i policisë, shpëtoi mrekullisht nga shpërthimi, edhe pse ndodhej brenda automjetit të tij privat kur shpërtheu. Konfirmohet, gjithashtu se, policia vijon të marrë në pyetje Stafën, në lidhje me porositësit e mekanizmave të tillë të eksplozivëve dhe lidhjet e tyre me elementët dhe grupet kriminale. “Policia ka dyshime se, pjesa më e madhe shpërthimeve me eksploziv, që kanë përdorur bombat e montuara nga Stafa, të jenë organizuar dhe drejtuar nga një i dënuar, nga brenda burgut. Policia e kryeqytetit kishte vënë në vëzhgim prej të paktën 2 muajsh Stafën, por informacionet se ai kishte përgatitur një tjetër bombë me celular kanë nxituar policinë për ta arrestuar dhe parandaluar ngjarjen e radhës me eksploziv”,- thuhet në komunikatën zyrtare.

PASOJAT E SKANDALIT

Kohë më parë, gazeta “Telegraf”, lidhur me arratisjet nga burgu i Drenovës, pohoi fakte e dëshmi lidhur me mungesën e informacionit të plotë të kontrollit telefonik në burgjet shqiptare. Ndërkohë, nisur nga disa arrestime të aleatëve tanë europianë, të grupeve kriminale, pjesëtarë, të të cilëve ishin dhe shqiptarë, ndonëse aleatët pohuan se shumë krime të rënda në Shqipëri dhe në shtete të tjera komandohen nga qelitë e burgjeve shqiptare, situate mesa duket është e njëjtë, nuk ka ndryshuar. Janë shumë burime të mundshme informacioni nga këto Kampe Riedukimi, si SHIK, SHKB, etj., por nuk arrihet që të parandalohen atentate apo krime të rënda. “Të huajt kanë mundësi të përgjojnë telefonatat nga burgjet tona, kanë mundësi informacioni çfarë kurdiset aty, por është absurd që strukturat shqiptare të jenë jashtë loje në këtë fushë”,- shton një burim i besueshëm për ‘Telegraf’.