Tritoli në farmacinë e Tahirit, pushohet çështja për Gjutën dhe Brukën

61
Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur të pushojë procedimin penal ndaj shtetasve Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka, të dyshuar për veprat penale të “Veprave me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. Këta shtetas së bashku me disa të tjerë, për të cilët janë pushuar hetimet më parë, kanë qenë të dyshuar si autorë të vendosjes dhe shpërthimit të tritolit të telekomanduar në biznesin “Farmaci” të shtetasit B.T, si edhe vendosjen e lëndës plasëse pranë një stacioni autobusi në zonën pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë, ngjarje e ndodhur duke gdhirë data 10.02.2015.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetimin ndaj personave të dyshuar, nën masën e sigurisë “arrest në burg” pasi nga materialet paraprake dyshohej se mund të ishin autorët e këtyre ngjarjeve. Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh proceduriale, përfshirë edhe ekspertiza të specializuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në përfundim të të cilave nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte që të provonin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme.
Krahas faktit që nuk janë arritur të grumbullohen të dhëna konkrete mbi veprimet e të hetuarve për kryerjen e veprave penale, Prokuroria për Krime të Rënda nuk zbuloi motiv se përse këta shtetas mund të kryenin veprat penale për të cilat dyshoheshin. Ndërkohë, ndaj të hetuarve Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka vijon të jetë në fuqi masa e sigurimit “arrest në burg” vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, për vepra të tjera penale të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Kukësit.