Tritoli ndaj familjes së ministrit Tahiri, 5 në pranga dhe 2 në kërkim

410
Sigal

Zgjerohet numri i të arrestuarve nga Policia e Tiranës, si të dyshuar për atentatet me tritol ndaj familjes së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në prangat kanë rënë 5 persona, Lumjan Matmuja 27 vjeç, Ernest Gjuta 24 vjeç, Kamber Bruka 31 vjeç, Erjon Dule 33 vjeç dhe Emirjon Gjuta 24 vjeç, i cili ndodhet ne burg pasi u zbulua se telefoni qe do aktivizonte tritolin pranë vendit ku parkonte makinën babai i Tahirit, atentat i cili u parandalua. Ndërkohë në kërkim janë shpallur Vladimir Gjuta, kushëriri i Emirjonit, dhe nipi i Vladimirit, Baftjar Bruka. Gjykata e Krimeve të rënda, pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe për të 7 të dyshuarit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”. Ata akuzohen për veprat penale “Veprave me qëllime terroriste” , “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes se veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. Prokurori bën të ditur se nga hetimet e deritanishme, personat e lartë përmendur si të dyshuar se kanë dorë në atentatet me tritol të 17 ditëve më parë, në formë grupi të strukturuar kriminal dhe në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë kryer përgatitjen, vendosjen dhe shpërthimin e pajisjeve bombë të telekomanduara me celular në farmacinë e Bashkim Tahirit, si dhe vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobusëve në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në vendin ku parkonte zakonisht makinën babai i Tahirit. Ndërkohë lidhur me këto atentate, policia shoqëroi si të dyshuar edhe 15 persona të tjerë. Por pas marrjes në pyetje, ata janë lënë të lirë, por ata do të vijojnë të jenë nën hetim nga ana e uniformave blu.