Tritolet në Lazarat, pesë të rinjtë e dyshuar, në facebook me flamuj të ISIS

440
LAZARAT – Pesë të rinjtë e shpallur në kërkim nga policia të dyshuar si autorë të akteve terroriste të shpërthimeve me tritol kohët e fundit në Lazarat por edhe për ngjarje të tjerë të mëparshme kriminale, rezultojnë të jenë simpatizantë edhe të ISIS dhe veprave të tyre.
Kjo vihet re nga profilet e tyre në rrjetin social Facebook, ku thuajse në të gjitha postimet e tyre shihen fotografi me flamuj dhe simboleve të grupit terrorist të ISIS.
Të rinjtë shprehin simpatinë në profilet e tyre për veprat terroriste të ISIS, duke ngritur kështu dyshime se sulmet e me tritol në Lazarat, ku të dyshuar janë pikërisht ata, të kenë edhe prapavijë fetare.
Edhe ditën e djeshme në komunikatën zyrtare të Policisë së Gjirokastrës, theksohej se shpërthimet me tritol me autorë 5 të rinjtë, janë veprime me qëllime terroriste, të pasqyruara edhe në rrjetet sociale.
Lazarati është rikthyer sërish në vëmendjen e policisë, ku në një muaj janë kryer 6 sulme me tritol dhe nga hetimet e kryera rezultojnë se motivi i këtyre ngjarjeve është i lidhur me veprimtarinë policore të goditjes së elementëve kriminal gjatë operacionit policor “Lazarati 2014”.
Për këto sulme policia ka identifikuar si autorë të rinjtë Arbion Adil Aliko, Alban Adil Aliko, Viktor Xhemil Aliko, Thimjo Irakli Ceka dhe Bervin Kastriot Basho.
Të dyshuarit sipas Policisë së Gjirokastrës:
Arbion Adil Aliko, i datëlindjes 28.12.1995, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej datës 22.06.2014, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” parashikuar nga nenet 283 dhe 278 i K. Penal.
Alban Adil Aliko, i datëlindjes 25.11.1997, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej datës 21.08.2014, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarave dhe municioneve” parashikuar nga neni 278/4 i K. Penal.
Viktor Xhemil Aliko, i datëlindjes 14.09.1990, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kerkim që prej datës 13.11.2014 pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprat penale “Shkatërrim i pronës i kryer në bashkëpunim”, “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, në b/punim” dhe “Kundershtim i punonjesit të policisë së rendit në b/punim” parashikuar nga nenet 150/25, 236/2 dhe 262/2 te K.Penal.
Thimjo Irakli Ceka, i datëlindjes 30.07.1995, lindur në Përmet dhe banues në Gjirokastër, i dënuar më parë për vjedhje, person i shpallur në kërkim më datë 20.03.2015, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” parashikuar nga nenet 79/b, 25 e 22 dhe 278/4 i K. Penal.
Bervin Kastriot Basho, i datëlindjes 24.12.1993, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton person i shpallur në kërkim që prej datës 17.03.2015, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” parashikuar nga nenet 79/b, 25 e 22 dhe 278/4 i K. Penal.  
Sigal