Tritol mjetit luksoz të biznesmenit të ndërtimit, zbardhet dëshmia e pronarit

606
Detaje te reja pas tritolit qe iu vu makinës luksoze të biznesmenit të ndërtimit, duke i shkaterruar automjeti “Audi Q7”. Ngjarja me lëndë plasëse ndodhi në lagjen “1 Maji”, në afërsi të pyllit të Sodës në Vlorë, në orët e parë të së hënës.
Nga shpërthimi i fortë, që nga hetimet paraprake dyshohet se ka qenë një sasi prej 200 gramë tritol, përveç automjetit që ishte në shënjestër të sulmit, janë dëmtuar dhe dy automjete, që ndodheshin aty pranë.
Sipas të dhënëve të Policisë, shpërthimi është dëgjuar rreth orës 03:00 të së hënës, pranë banesës së biznesmenit në lagjen “1 Maji” të qytetit të Vlorës ose siç edhe njihet në qytetin bregdetar, Zona e Pyjores. Shpërthimi ka ndodhur në oborrin e banesës së biznesmenit Izmir Shehu, ku ishte parkuar makina.
Për pasojë, automjeti tip “Audi Q7” me targa AA 008 RX, është dëmtuar në pjesën e motorit dhe është përfshirë nga flakët. Ndërsa dy automjetet e tjera që kanë qenë parkuar pranë kësaj makine, kanë marrë dëmtime gjithashtu. Pronari i mjetit, 38-vjeçari Shehu, me origjinë nga Gjirokastra, mësohet se është biznesmen në fushën e ndërtimit. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, por aktualisht nuk ka ende asnjë person të arrestuar apo identifikuar për ngjarjen në fjalë.
Për ngjarjen e ndodhur, është marrë në pyetje dhe vetë biznesmeni 38-vjeçar. Gjatë deklarimit të dhënë në Komisariatin e Policisë së Vlorës, Izmir Shehu ka deklaruar se nuk ka asnjë lloj konflikti me persona të tjerë.
Ai është shprehur para grupit hetimor se është i paqartë për arsyen se përse automjetit të tij i është vënë lëndën eksplozive, ndërsa ka theksuar se nuk ka pasur asnjëherë konflikte dhe sherre me persona të tjerë. Për Policinë hetimet rreth identifikimit të autorëve mbeten shumë të vështira, pasi në vendin e ngjarjes mungojnë kamerat e sigurisë, çka mund të çojnë në identifikimin autorëve.
Ndërkohë, pista kryesore, në të cilën po heton Policia e Vlorës për këtë ngjarje, është ajo që lidhet me aktivitetin e 38-vjeçarit dhe problematikat që mund të ketë pasur gjatë punës së tij. Fakti që merret me ndërtime mbetet, sipas Policisë, pista kryesore e hetimit të shpërthimit të automjetit me lëndë eksplozive, pasi mund të ketë pasur mosmarrëveshje lidhur me biznesin e tij.
Mësohet se biznesmeni me origjinë nga Gjirokastra ka kryer ndërtimin e disa pallateve në zonën e “Plazhit të Vjetër” në Vlorë dhe nga aktiviteti i tij mund të kenë lindur mosmarrëveshje, që kanë të bëjnë me ndërtimin apo shitjen e këtyre apartamenteve, gjë e cila mund të ketë çuar më pas në vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e parkuar para banesës së tij.
Po kështu, burime nga Policia kanë konfirmuar se sasia e lëndës eksplozive që iu vendos automjetit “Audi Q7” ka qenë rreth 200 gramë. “Më datë 09.04.2018, në lagjen “1 Maji”, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë automjeti tip ‘Audi Q7’, në pronësi të shtetasit I. Sh., të cilin ai e kishte të parkuar para banesës. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ ëve”, bëhet e ditur zyrtarisht nga ana e Policisë.
Sigal