Tragjeditë në miniera, vdes në galeritë e Cërrujës 40-vjeçari

449
Sigal

BURREL/Ngjarja ndodhi në Galerinë A-1, ku bashkëpronar shfrytëzimi përflitet dhe një deputet

Një viktimë tjetër shënohet zonës minerare Bulqizë-Burrel, duke i kthyer galeritë tona në ‘gropa vdekje’ për njerëzit e harruar nga shteti që për bukën e gojës, lenë djersën dhe gjakun e tyre në galeri për fitimet e majme të mafias së kromit, e lidhur ngushtë me segment të fuqishëm me pushtet. Mësohet se, viktima e radhës është Kujtim Liçi, 35 vjeç nga fshati Bejn i rrethit të Matit. Burimet të konfirmuara thonë se aksidenti ka ndodhur në galerinë A-1, në thellësinë mbi 500 metra nën tokë në zonën e Cërrunjës. I njëjti burim shton gjithashtu se ‘përflitet që bashkëpronar në këtë galeri private shfrytëzimi, është dhe një deputet i parlamentit të Shqipëri”. Nga burimet e ekspertëve që po hetojnë këtë ngjarje të rëndë pohohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse para kohe nëntokë, gjë e cila ka bërë që 35-vjeçari të mbetet nën masivin e mineralit.

TRAGJEDIA

Sipas burimeve për “Telegraf”, tragjedia e rëndë ka ndodhur në orën 11:20 të ditës së premte në një nga galeritë e minierës së Cërrunjës në Burrel. “35-vjeçari Liçi, së bashku me disa shokë të tjerë minatorë ka qenë rreth 500 metra nën tokë në thellësi duke nxjerrë krom për llogari të një firme private shfrytëzimi. Gjatë procesit të punës, në momentin që do të bëhej shpërthimi me tritol për të shkatërruar masivin monolit të mineralit, ka ndodhur ngjarja e rëndë. Shpërthimi para kohe e lëndës plasëse, mos llogaritja e saktë e kohës, ka bërë që 35-vjeçari të mbetet nën masivin e gurëve. Fatmirësisht, nuk ka pasur të dëmtuar të tjerë”,- shtojnë burimet për “Telegraf”. Alarmi i dhënë nga minatorët ka çuar në galeri forca të policisë dhe ekspertë të emergjencave të minierave nga Bulqiza. Pas gati dy orësh, grupi i shpëtimit i ardhur nga Bulqiza, ka mundur të nxjerrë nga gërmadhat e nëntokës minatorin e pa jetë. Ai është dërguan në morgun e spitalit për analizat mjeko-ligjore.

HETIMET

Edhe në rastin e tragjedisë së djeshme, ashtu dhe në tragjeditë e mëparshme në galeritë e kësaj zone, ekspertët kanë kryer formalitetet, ndërsa grupi hetimor ka konfirmuar nisjen e hetimeve. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i tragjedisë së radhës ka qenë ‘shkelja e rregullave të sigurimit teknik në punë’. “Pas administrimit të provave në vendin e ngjarjes, pyetjes së dëshmitarëve, kolegëve të viktimës, janë shoqëruar dhe drejtues të firmës private që administronte galerinë ku ndodhi ngjarja. Janë sekuestruar gjithashtu dhe dokumentet e instruktazhit dhe material të tjera që rregullojnë punën nën tokë. Deri në orët e vona të ditës së premte, nuk ka pasur të shoqëruar”,- shtojnë burimet e mësipërme për gazetën “Telegraf”.