Tragjedia në Krujë, mjekët e QSUT: 8 të djegur në gjendje të rëndë

46
Nga djegia e autobusit me 31 pasagjerë në Krujë, 11 të plagosurat ndodhen në repartin e djegies në QSUT, ku 8 prej tyre janë në gjendje të rëndë. Mjekët e spitalit thanë se të gjithë të plagosurit janë gra, tetë prej të cilave me djegie mbi 50 përqind të trupit. Nga këto tetë, tre që janë edhe të moshuara, janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa pjesa tjetër është më e qëndrueshme. Mjekët thonë se njëra prej pacienteve do të transferohet në repartin e toksikologjisë, pasi nuk ka djegie të mëdha në trup, por ka thithur shumë tym. Të plagosurat i vizitoi edhe kryeministri Rama, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, ndërsa Lulzim Basha shprehu ngushëllimet për viktimën dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarat përmes një postimi në rrjetet sociale.