Trafiku ndërkombëtar, i drogës shqiptare drejt Greqisë e Malit të Zi

497
Sigal

SHKODËR-GJIROKASTËR- Megjithë pohimet zyrtare të krerëve të policisë për minimizimin e trafikut të drogës nga Shqipëria në vendet fqinje, ky trafik vazhdon pothuaj pa ndërprerë, në linjë detare dhe në rrugë tokësore. Vetëm në harkun e 24 orëve të fundit, konfirmohet zyrtarisht se janë mundur të identifikohen dy raste të tilla, mbetur në tentativë, njëri në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës në Gjirokastër dhe tjetri në veri, në Malësinë e Madhe në Shkodër. Mësohet se një sasi prej 26 kg drogë janë sekuestruar ditën e premte në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Lënda narkotike u gjet në një mjet tip “Peugeot” me targa AA595FR, e futur në bagazhe dhe e paketuar në 52 pako të mbështjella me natriban. Në këto kushte, 22-vjeçari I. Doçe u vu në pranga. Droga kishte për destinacion tregun grek. Një natë më parë, në Shkodër, u arrestuan dy të rinj me 63 kg lëndë narkotike. Të rinj që po transportonin me mjetin e tyre lëndën narkotike në drejtim të Malit të Zi, u ndaluan në vendin e quajtur “Grabon” të Malësisë së Madhe. Sasia prej 63 kg hashash ishte e futur në thasë plastikë. Në këto kushte, u bë arrestimi i Luigj Smajlajt, 25 vjeç dhe Lulzim Gilaj, 26 vjeç, banorë të fshatit Rrapsh, Komuna Kelmend në Malësinë e Madhe. Burime për gazetën pohojnë se këta raste të bllokimit të drogës me destinacion vendet fqinje, janë sporadike, ndërsa rastet janë të shumta. “Ky trafik ka kohë që vazhdon, e në të janë të përzier për interesa të tyre dhe punonjës të policisë”,- shtojnë burimet e mësipërme.