Trafikonte kokainë me biçikletë, në pranga 30-vjeçari shqiptar në Itali

450
Shqiptarët po bëhen gjithmonë e më kreativë në ndërtimin e rrugëve të sigurta për të trafikuar dhe shpërndarë lëndë narkotike pa rënë në sy të policisë. Rasti më i fundit është regjistruar në Itali. Policia italiane ka arrestuar një 30-vjeçar shqiptar në Spoleto të Peruxhas për trafikim të lëndëve narkotike. Sipas mediave italiane, shqiptari përdorte biçikletën ose ecte në këmbë për të shpërndarë dozat e drogës të tipit kokainë dhe heroinë, që të mos zbulohej nga policia. Forcat italiane të Antidrogës bënë të ditur, se e kanë hetuar 30-vjeçarin për disa muaj, pasi e kishin të vështirë të vërtetonin aktivitetin e paligjshëm të tij. 

30-vjeçari mbante me vete sasi shumë të vogla dhe duke lëvizur me biçikletë ose në këmbë ishte shumë e vështirë të zbulohej. Pas infiltrimit të një agjenti si konsumator lëndësh narkotike, polica italiane ka bërë të mundur dhe arrestimin e tij. Sipas mediave italiane, shqiptari e shiste drogën në vende pak të frekuentuara ose në fushë të hapur. Ndërkohë, edhe në Firence policia italiane ka arrestuar dy shqiptarë, po për trafikim të lëndëve narkotike. Të arrestuarit janë të moshës 25 dhe 29 vjeç, dhe janë kapur në flagrancë nga policia kur po tentonin që të shisnin një dozë kokaine për 50 euro.
Sigal