Trafikantët sfidojnë policinë, kapen në Bari 292 kilogram drogë

410
Sigal

Vlera e drogës mbi 3 milionë euro. Dyshohet për implikim nga radhët e bluve, alarmohet policia italiane

Trafikantët e drogës sfidojnë dhe një herë policinë shqiptare, duke kaluar një sasi të konsiderueshme hashashi në tokën fqinje, ku si pasojë e një aksioni të policisë italiane, kanë rënë në pranga edhe dy trafikantët nga Shqipëria. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se, droga e bllokuar një ditë më parë, për sa i përket kilogramëve të bllokuar, rezulton të jetë ndër sasitë më të mëdha të trafikuara gjatë muajve të fundit në rrugë detare nga Shqipëria në brigjet e Italisë. Këtë radhë, trafikantët e drogës e kanë transportuar mallin me një triler, duke modifikuar karrocerinë e tij, me qëllim mos diktohej nga policia. Burimet konfidenciale shtojnë se, në rastin e trafikimit të drogës në 24 orët e fundit, dyshohet që të jenë implikuar dhe persona nga radhët e policisë shqiptare.

OPERACIONI

Burimet për “Telegraf” konfirmojnë se, operacioni është realizuar nga policia italiane në orët e para të ditës së djeshme. “Një ngarkesë prej 292 kilogramësh kanabis- sativa është sekuestruar të hënën në portin e Barit në një kamion që vinte nga Shqipëria. Lënda narkotike është gjetur në fundin e dyfishtë të një kamioni “Trajler” që transportonte dru. Kanë qenë efektivët e Guardia di Financës që kanë ushtruar kontrollin në “Trajler” dhe kanë gjetur edhe sasinë e lëndës narkotike në Portin e Barit. Trajleri me targa shqiptare është ndaluar sapo ka zbritur nga një anije. Drejtuesi i mjetit, një shqiptar 55-vjeçar është vënë në pranga menjëherë nga policia. Bëhet e ditur se, vlera në treg e lëndës narkotike është rreth 3 milionë euro”,- shtojnë burimet e mësipërme.

HETIMET

Trafiku i drogës nga Shqipëria, nisur nga fenomeni në rritje kohët e fundit, ka shqetësuar policinë italiane dhe atë greke. Në rastin e trafikut të djeshëm, ashtu si dhe në raste të tjera, dyshohet që, të jenë përfshirë një grup personash në Shqipëri dhe Itali, pjesë e një trafiku të organizuar që vepron prej kohësh. “Në rastin konkret, bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme droge, vlera në treg e së cilës i kalon 3 milionë euro. Është e pamundur që puna për përshtatjen e kamionit me tavan të dyfishtë, grumbullimi i drogës nga vendprodhimi deri në ngarkesë, deri në portin detar, të mos lej hapësira për t’u diktuar nga policia. Në këtë grup të trafikut ndërkombëtar ka dhe persona me funksione të rëndësishme në radhët e policisë që shoqërojnë apo marrin masa që ajo të ngarkohet në tragete dhe të përfundoj në brigjet e shtetit fqinj. Pa mbështetjen e njerëzve në radhët e policisë, nuk mund të funksionojë një trafik i tillë i mirë organizuar i trafikut ndërkombëtar të drogës”,- shtojnë burimet për “Telegraf”.