Trafik lëndësh narkotike, Prokuroria kërkon 13 vjet burg për Nadir Lutaj

432
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 13 vite burgim për shtetasin Nadir Lutaj, i akuzuar për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike” mbetur në tentativë.
Sipas organit të akuzës, lutaj ka qenë personi që kundrejt shpërblimit ka “rekrutuar” shtetasin Ilir Hamolli për të trafikuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë sasinë prej 4.5 kg heroinë, e kapur nga policia në pikën e kalimit kufitar të Portit Vlorë me datë 21.12.2013.
Hetimi ndaj të pandehurit Lutaj është zhvilluar në mungesë të tij, ndërkohë që bashkëpunëtori, shoferi Ilir Hamolli është arrestuar dhe dënuar në një proçes të veçuar me 13 vjet burgim.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se shtetasi Ilir Hamolli ka marrë shumën 3000 euro nga i pandehuri Nadir Lutaj për të trafikuar drejt Italisë sasinë e heroinës, e cila ishte e fshehur në disa pako, në pjesë të ndryshme të një automjeti tip autoveturë.
Pas arrestimit, shoferi i mjetit ka tentuar të mbulojë bashkëpunëtorin e tij, duke deklaruar se lëndën narkotike ia ka dhënë “një shtetas nga Librazhdi”.
Por nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se organizatori i këtij rasti trafiku ka qenë shtetasi Nadir Lutaj, nga qyteti i Fierit.
Sigal