“Toto qorri” dhe “Ermali”, kush janë dy personazhet e përmendura nga Agron Xhafaj dhe trafikanti?

373
Partia Demokratike publikoi sot një audio-përgjim sipas tyre të bërë ndërmjet Agron Xhafaj, vëllait të ministrit të Brendshëm. Sipas PD, Agron Xhafaj organizon trafikun e drogës në qytetin e Vlorës.
Biseda e përgjuar mes Xhafajt, një nga emrat më të përfolur të momenti dhe një personi tjetër i cilësuar si trafikant “bashkëpunëtori x” nis në makinë në një bisedë telefonike dhe më pas dy bashkëfolësit takohen në lokal.
PD thotë se Agron Xhafaj lidh bashkëpunëtorin X me trafikantët e kanabisit. Ajo që bie në sy në përgjim është përmendja e dy personazheve, njëri me nofkën “Toto qorri” dhe tjetri “Ermali”. Bashkëpunëtori thotë se kishte qenë nga “Toto qorri”. Në fakt ky pseudonim të kujton “Toto Rinan”, një nga mafiozët më të njohur siçilianë, që u nda nga jeta pak kohë më parë.

“Isha andej nga Toto qorri. Do të merrja në telefon të ftoja për darkë, por më thanë që ishe larg. Dëgjon vëlla?”, thotë bashkëpunëtori X.

Më pas gjatë bisedës del në skenë edhe personazhi tjetër “Ermali”. Personi i supozuar nga PD se është Agron Xhafaj i thotë bashkëpunëtorit se do e çojë tek Ermali që është shoku i tij i ngushtë.
Bashkëpunëtori X: Hiç, ja erdha për atë që të thashë, për të bërë rrugën.
Agroni: Dëgjo tani, ti e kupton si janë gjërat. Këta plehrat po na sulmojnë shumë ore.
Agroni: (Përmend një fjali me 5-6 fjalë, po nuk kuptohet mirë).
Agroni: Do të të çoj unë te Ermali ore, është shoku im i ngushtë.
Bashkëpunëtori X: Të faleminderit (2-3 fjalë s’kuptohen). Se erdha ngaqë jam keq vlla, se nuk erdha nga e mira.

Biseda vazhdon mes tyre, ndërsa Agroni i kërkon të mos i bjerë më në qafë pasi po i sulmojnë shumë. Për më tepër ai thotë se ata në Itali janë zbërthyer komplet. “Ermali” del sërish në skenë në fund të bisedës.
Bashkëpunëtori X: Po ik o se s’të bije më në qafë, po kisha një problem se kam një hall edhe unë. Ta bëra si vëlla.
Agroni: Po gjërat nuk e shikon si janë?
Bashkëpunëtori X: Se e njohim njeri-tjetrin.
Agroni: Ata në Itali janë zbërthyer komplet ore.
Bashkëpunëtori X: Mirë o vlla mirë, hajde rrofsh. Do e takoj unë Ermalin. Pa merak.
Agroni: Te Ermali vëlla.

Sipas PD, bashkëpunëtori X ndoqi rrugën e treguar nga Agron Xhafaj, bleu kanabisin tek trafikantët nën urdhrat e vëllait të Ministrit të Brendshëm, i qetë dhe pa ndjekjen e policisë.