Tmerr në Sarandë, ekzekutohet 40-vjeçari, plagosen 2 të tjerë

546
Sigal

KRONIKË/ Viktima ishte babai i tre vajzave. Policia, si gjithmonë dyshon se krimi ka ndodhur për motive të dobëta

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Gjashtë të Sarandës. Për arsye ende të paqarta ka humbur jetën 40-vjeçari Ardi Beqiraj dhe janë plagosur shtetasit Ferdinand Zhango e Orest Vislaj. Sipas burimeve nga vendngjarja, viktima është pronari i një lokali në fshat, ndërsa të plagosurit janë klientë të lokalit. Mësohet se një person tjetër ende i paidentifikuar ka hyrë në lokal me thikë në dorë dhe në sherr e sipër ka tentuar të vrasë pronarin e lokalit. Dy klientë në lokal ndërhynë dhe shmangën fillimisht krimin. Autori më pas qëlloi me automatik në drejtim të tyre dhe la të vdekur pronarin Ardi Beqiraj 40 vjeç, babai i tre vajzave, si dhe plagosi Ferdinand Zhango e Orest Vislaj. Policia e qytetit bregdetar ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, si edhe për të identifikuar autorin e krimit. Ata dyshojnë se krimi ka ndodhur për motive të dobëta. Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku një person ka hapur zjarr në mes të një lokali, duke shkaktuar edhe bilancin e sipërpërmendur. Nuk bëhen ende të ditura rrethanat e krimit të rëndë, ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për kapjen e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Të bën përshtypje fakti se shteti, pra Policia e Shtetit që është përgjegjëse për sigurinë e jetës së qytetarëve, jep vetëm konstatime, sa u vranë apo u plagosën, ndërsa masat parandaluese të tragjedive mungojnë maksimalisht. Pavarësisht kritikave shumë të rrepta që bëhen, asgjë nuk ndryshon. Ajo që të trishton edhe më tepër, është mungesa e perspektivës në këtë aspekt.

Gjirokastër, plagoset rëndë drejtuesi i motoçikletës
Drejtuesi i një motoçiklete ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur pasditen e së premtes. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Goranxi të Gjirokastrës, ku një makinë ka përplasur një 16-vjeçar, i cili ishte duke udhëtuar me motoçikletë. Si pasojë e kësaj përplasje mësohet se 16-vjeçari me inicialet V. N., ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës për mjekim më të specializuar. Ndërkaq nga ana e policisë, e cila ka mbërritur në vendngjarje kanë nisur hetimet për hedhjen dritë mbi ngjarjen.

Makina aksidenton nënën dhe djalin
Fier- Dy persona janë plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur pasditen e djeshme. Nga të dhënat e para mësohet se 52-vjeçarja Sheqere Troka dhe djali i saj 25-vjeçari Ermal Troka, të cilët ishin duke kaluar rrugën me karrocë janë përplasur nga një makinë dhe si pasojë janë plagosur. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Levan-Frakull, kur një automjet ka përplasur karrocën në të cilën udhëtonin nëna dhe djali i saj, duke aksidentuar rëndë këta të fundit. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e saj, ndërsa të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit ku dhe po marrin ndihmën mjekësore.

E dhunonte burri, vetëvritet 42-vjeçarja
Krujë- Një grua 42- vjeçare e rrahur, e munduar dhe e dhunuar nga i shoqi i saj e ka gjetur zgjidhjen te fundi i jetës. Burime zyrtare nga policia në pranga ka përfunduar edhe shkaktari që detyroi gruan të vetëvritej, burri i saj Ferid Doku 46 vjeç. Gjatë hetimeve të para lidhur me ngjarjen, ku gjeti vdekjen e vetëhelmuar Vjollca Doku, lindur në Thumanë të Krujës e banuese në Larushk të Krujës, rezultoi se, bashkëshorti i saj Ferid Doku ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike dhe si pasojë e kësaj dhune gruaja është prekur rëndë, duke bërë që të përdorë lëndë helmuese për të gjetur vdekjen rrugës për në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Sakaq gjatë këqyrjes së kufomës ka rezultuar se viktima kishte shenja të dhunës dhe të nxira në trup, në kohën që ka qenë gjallë dhe sipas deklarimeve të marra kjo dhunë është ushtruar nga bashkëshorti i saj Ferid Doku. Kështu që bashkëshorti dhunues përfundoi nën akuzë si shkaktar i vetëvrasjes dhe duhet të përgjigjet me burg për dhunën dhe vdekjen e së shoqes.

Arrestohen 2 persona, grabisnin me armë
Elbasan- Policia e Elbasanit arrestoi dy persona të akuzuar për grabitje me armë. Pas sinjalizimit të marrë për këtë ngjarje efektivët e policisë bën të mundur brenda një kohe rekord zbardhjen dhe identifikimin e autorëve të grabitjes me armë të ndodhur rreth orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, të mjetit tip “Ford Fiesta” me targa TR 4992 N, në pronësi të 26-vjeçarit me iniciale Xh.K, 26 vjeç, banues në lagjen “Haxhias” Elbasan. Policia vuri në pranga 22-vjeçari Mentor Zhezairi dhe 19-vjeçari Sulltan Mehmeti, pasi në bashkëpunim nën kërcënimin e armës se zjarrit tip pistoletë i kanë kërkuar pronarit të mjetit të zbriste nga mjeti, ku më pas janë larguar me makinën.

Sherri për gardhin, plagoset me thikë 30-vjeçari
Lushnjë- Një 30-vjeçar është plagosur rëndë me thikë në fshatin Stan-Karbunarë në Lushnje, si pasojë e një konflikti për çështje pronësie. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme. Sipas policisë, 30- vjeçari Sokol Mitri është goditur disa herë me thikë nga 55-vjeçari Ylli Trini. Si pasojë e plagëve të marra, Mitri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë. Ndërkaq, policia ka vënë në pranga autorin e ngjarjes, ndërsa mësohet se sherri ka ndodhur për shkak të një gardhi.

Vrasja në Shkodër, kapet njëri nga autorët
Policia e Shkodrës ka arrestuar dje një nga autorët e krimit të ndodhur të enjten në qendër të qytetit, ku u qëlluan me breshëri automatiku babë e bir, Frederik dhe Jurgen Marku. Nga të shtënat humbi jetën 46-vjeçari dhe u plagos djali i tij. Njëri prej autorëve është 55-vjeçari Leonard Marku, ndërkohë që, është në kërkim personi tjetër, i identifikuar tashmë nga policia. Frederikut dhe të birit i zunë pritë menjëherë pasi kishin dalë nga policia për të sqaruar konfliktin që kishte pasur mes tyre dhe dy autorëve të dyshuar të krimit. Konflikti mes dy palëve kishte nisur rreth tre ditë më parë për motive banale, ndërsa ditën e djeshme viktima dhe i plagosuri kishin dhunuar dy autorët, të cilët pak orë më vonë i zunë pritë me motoçikletë, duke i qëlluar me breshëri automatiku, pranë derës së spitalit të Shkodrës. Ndërkohë që, policia po punon për kapjen e autorëve të tjerë.