Tiranë, zbulohet një punishte që falsifikonte dokumente zyrtare

819
Sigal

Pranga 46-vjeçarit Azem Tahiri, sekuestrohen në garazhin e tij tek Kodra e Diellit, 16 makineri shtypshkronje

Zbulohet nga Policia e Shtetit kundër krimit Financiar në bashkëpunim me Policinë e Tiranës një punishte që merrej me falsifikimin e dokumenteve zyrtare, në pronësi të shtetasit Azem Tahiri. Shkak, për fillimin e këtij operacioni është bërë sinjalizimi që ka ardhur nga autoritetet greke, për veprimtarinë kriminale të një grupi shqiptarësh që falsifikonte dokumente. Gjatë ditës së djeshme, policia ka ushtruar një kontroll në ambientet e shtetasit Azem Tahiri. Nga kontrolli që u krye, u gjetën në garazhin e tij dhe u sekuestruan 16 makineri shtypshkronje profesionale, që shërbenin për stampime të ndryshme dhe njëra prej tyre lazer print ofset. Gjithashtu, u gjetën dhe u sekuestruan tre paleta me letra format A4 dhe A3. Sipas njoftimit të policisë, bëhet e ditur se u arrestua në Greqi, më datë 12 shtator 2013, shtetasi Azem Tahiri, së bashku me shtetasit Panajot Bilbil Bare, 46 vjeç, banues në qytetin e Beratit dhe Eduard Zeneli, mosha 46 vjeç, banues në Ksamil të Sarandës. Të arrestuarve, u janë gjetur mijëra dokumente të falsifikuara, si karta identiteti të vendeve të ndryshme europiane, viza europiane, modele të reja patentash dhe pasaportash,vulash etj.. Për të dokumentuar aktivitetin e këtyre shtetasve, për një periudhë një javore, policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet policore greke, kanë kryer veprime intensive. Nga hetimet e bëra nga policia, ka rezultuar se shtetasi Azem Tahiri prodhonte dokumente të falsifikuara në pronën e tij tek Kodra e Diellit, Tiranë. Policia ka kryer veprime procedurale dhe ka bërë  sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të të gjitha pajisjeve dhe materialeve të gjetura. Hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve, vazhdojnë.