Tiranë, “rikthehet” grabitja e varëseve të femrave nën kërcënimin e armës

1108
Sigal

Rikthehet grabitja e varëseve të femrave në rrugë. Blutë e kryeqytetit bënë me dije se 2 persona të panjohur kanë grabitur varësen e një femre nën kërcënimin e armës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme(rreth orës 18:50) në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet, ndërkohë që mësohet e si pasojë e grabitjes ka mbetur e lënduar një grua. Nga dëshmitë e marra nga gruaja, policia bën me dije se autorët rreth moshës 25-vjeç, pasi e kanë kërcënuar me armë gruan, i kanë marrë asaj varësen. Sipas dëshmisë, gruaja ka bërë rezistencë duke i grisur bluzën njërit prej grabitëseve, ndërkohë si pasojë ka marrë lëndime të lehta në trup.  Dy autorët janë larguar më pas me shpejtësi nga vendngjarja në këmbë  drejt “Qytetit Studenti”. Nisin hetimet për kapjen e autorëve.

Ekzekutimi i Gentian Beqirit, ekspertiza: Babai vdiq nga dhuna e vrasësve të djalit!

Zbardhen detaje të reja mbi vrasjen e ndodhur pardje në Elbasan, ku një 40-vjeçar, i cili akuzohej për ekzekutimin e një biznesmeni të njohur në 2005-n, u vra dje në banesën e tij, në shtratin ku dergjej i paralizuar prej mëse dy vitesh. Babai i Gentian Beqirit, i cili u vra dje në banesën e tij në Elbasan nuk ka vdekur nga infarkti, por nga dhuna e ushtruar nga autorët e krimit. Prokuroria e Elbasanit konfirmon rezultatet e mjekësisë ligjore, sipas së cilës Nezir Beqiri ka shenja dhune në trup dhe kokë, thyerje të brinjëve që konfirmojnë dhunën e ushtruar ndaj tij, ndërsa vdekja ka ardhur si pasojë e mbytjes nga autorët. Fillimisht u dyshua se viktima humbi jetën nga infarkti në spital ku u dërgua në gjendje kome. Nga hetimet paraprake dyshohet se Nezir Beqiri është përleshur me autorët e vrasjes së djalit, ku dhe si pasojë ka mbetur i vdekur. Gentian Beqiraj, 40-vjecari, i cili ishte nën masën e sigurisë arrest shtëpie është ekzekutuar me armë zjarri dje rreth orës 10:00 në lagjen ‘Sporti i Vjetër’. Ndërkohë, edhe pse banesa ku mbeti i vrarë Gentian Beqiraj, ruhej nga dy efektivë të policisë, të cilët mbikëqyrnin të dënuarin kjo nuk ka penguar aspak dy autorët të hyjnë brenda për të kryer krimin. Dëshmitar i ngjarjes së rëndë, ka qenë babai i viktimës. I moshuari i sëmurë duket se ka qenë personi që ka hapur derën e banesës për vrasësit. Nezir Beqiraj ka ndërruar jetë disa minuta më vonë në spital.

Vdekja e 7-vjeçares në Përmet, Tavo shkarkon drejtorin e spitalit

Vdekja e një vajze 7-vjeçare në ambientet e spitalit të Përmetit ka pasuar me shkarkime nga puna të drejtorit të institucionit. Paralajmërim ka marrë dhe mjeku pediatër, Fadil Pashollari. “Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të drejtorit të spitalit të Përmetit, pasi u konstatuan mangësi në mjekimin e vajzës 7- vjeçare, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë në këtë spital, bëri të ditur gjatë një konference për mediat, zëdhënësja e MSH, Alisa Demollari. Sipas zëdhënëses, se ‘mbi konkluzionet e analizave të bëra për rastin në fjalë u evidentua se nuk është respektuar sistemi i referimit të pacientit për raste të tilla të rënda, të cilat për mungesë të kapaciteteve të spitaleve të distrikteve duhet të referohen menjëherë në spitalet rajonale, duke njoftuar njëkohësisht drejtoritë respektive të MSH. Për këtë arsye, Ministri i Shëndetësisë ka urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të drejtorit të spitalit të Përmetit, Dhimitër Nasi. Ndërkohë, pas verifikimit të kartelës klinike të fëmijës, për mangësitë e vërejtura në përshkrimin e ndjekjes së rastit, ministri Tavo urdhëroi vërejtje për paralajmërim largim nga puna të mjekut pediatër dhe, në pritje të rezultateve përfundimtare të analizave laboratorike dhe hetimit klinik të kartelës do të ndërmerren masa të mëtejshme, në mënyrë që të përmirësohet puna në spitalin e Përmetit dhe në të gjithë vendin, duke parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla”. MSH, pasi u njoh me rastin e vdekjes së vajzës 7 vjeçare, Eva Hekuran Behollari, ndodhur në spitalin e Përmetit më datën 13 gusht, organizoi një ekip specialistësh për të verifikuar këtë rast. Ekipi i Institutit të Shëndetit Publik bënë hetimin epidemiologjik të rastit, rezultatet e të cilit pritet të dalin ditën e hënë (20 gusht), pasi një pjesë e materialeve biologjike dhe ushqimore të konsumuara një ditë më parë nga fëmija do të analizohen në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik për të nxjerrë shkakun e mundshëm të vdekjes së fëmijës.

 Zhdukja e ish-efektivit, familjarët: Të zbardhet ngjarja!

Ende nuk ka asnjë gjurmë për ish-efektivin e policisë, punonjës i fabrikës së tullave në Fushë-Krujë, Anton Prendi. Ai rezulton i zhdukur që nga data 5 gusht dhe policia ende nuk ka arritur të zbulojë asgjë mbi këtë mister. Djali i tij 17 -vjecar, Elvis Prendi, dhe bashkëshortja Bardha Prendi i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje sepse gjendja në shtëpinë e Prendit, thonë familjarët, është e padurueshme. 47- vjeçari Anton Prendi në datën 5 gusht është nisur me biçikletën e tij, si zakonisht për në punë, ka marrë bukën me vete dhe është përshëndetur me të bijën te porta. Ka qenë ora 06:30. Që prej atij momenti, askush nga familja s`e ka parë më Antonin, askush nuk ka dëgjuar asnjë fjalë për ekzistencën e tij. Antoni është babai i tre fëmijëve, i dy vajzave dhe i një djali dhe është zhdukur vetëm 500 metra nga rruga kryesore e Fushë-Krujës, dhe po aq metra pa shkuar në portën e fabrikës së tullave, ku Antoni punonte si furrtar i pjekjes së tullave.