Tiranë, prisnin lidhjet e paligjshme, dhunohen 2 elektricistë, reagon OSHEE

484
Sigal

Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Bashkuara, Kol Nikollaj: Ngjarje e shëmtuar, ministri Tahiri të reagojë

Dy elektricistë që po punonin për prerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, janë dhunuar dje në Laprakë. Ndërkohë, në një reagim për ngjarjen e rëndë, Kol Nikollaj ka kërkuar që “Kompania të mos i përdorë punonjësit e saj si mish për top, kurse ministri Saimir Tahiri duhet të reagoje e t’i ndalojë këto raste dhune”…  Mësohet se, elektricistët u dhunuan nga një abonent dhe përfunduan në spital. Bëhet fjalë për elektricistët e OSHEE, Misir Kumria dhe Sh. Bafti, të cilët mësohet se, kanë marrë plagë të rënda. Ndërkohë që, policia ka ndaluar autorin e ngjarjes. Për ngjarjen ka reaguar sot edhe OSHEE, duke shprehur shqetësimin dhe indinjatën për ngjarjen. OSHEE e quan këtë një akt kriminal kundër dy punonjësve. “Gjatë ushtrimit të detyrës funksionale elektricistët Misir Kumria dhe Shkëlqim Bafti janë goditur me mjete të forta tek pallatet “Albakonstruksion”. Të dy këta punonjës janë në gjendje të rëndë te Qendra e Traumës, në Spitalin Ushtarak. Dy elektricistët ishin duke kryer prerjen e energjisë elektrike për abonentë debitorë, sipas listës së miratuar nga Drejtoria Rajonale e kryeqytetit në OSHEE. Dhuna ndaj dy punonjësve të OSHEE u denoncua menjëherë në organet e rendit dhe aktualisht policia ka ndaluar një person”, thuhet në deklaratë. Pavarësisht shkaqeve, kjo ngjarje e rëndë ka pasur reagime të shumta ditën e djeshme.

 REAGON KOL NIKOLLAJ

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, ka reaguar dhe Konfederata e Sindikatave të Bashkuara. Sipas kreut të kësaj sindikate, Kol Nikollaj, kjo ngjarje është tepër e shëmtuar, ndaj ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri duhet ta shikojë si rast. “Ngjarje e shëmtuar, ministri Tahiri të shikojë këto raste. Kompania nuk duhet t’i përdorë punonjësit si mish për top. Ligji të ndryshojë, këta punonjës të mbrohen si policët”,- citohet në reagimin e Kol Nikollës.