Tiranë, përplasen dy urbanë në stacion, njëri shofer ishte i dehur

402
Sigal

TIRANE – Mos respektimi i sinjalistikës rrugore si dhe gjendja e dehur e shoferit, ka sjellë për pasojë përplasjen e dy autobuzëve të transportit publik sot në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 në afërsi të Pallatit me Shigjeta, ku autobusi i Kasharit është përplasur me atë të Kinostudios, në dalje të stacionit të përbashkët të tyre në këtë zonë.

Si pasojë e aksidentit janë plagosur lehtë disa prej pasagjerëve, ndërsa në spital ka përfunduar edhe drejtuesi i autobuzit të Kinsotudios pasi ka marrë plagë në kokë.

Nga të dhënat e para bëhet e ditur se shoferi i autobusit të Kasharit, gjatë testit të alkoolit, ka rezultuar i dehur. Për këtë arsye, është vendosur heqja e liçensës dhe pezullmi i patentës së drejtuesit të autobusit të Kasharit.

Nga ana tjetër, hetimet kanë zbuluar se gjatë aksidentit, shoferi i urbanit të Kinostudios nuk ka respektuar rregullat e qarkullimit. Për këtë arsye është vendosur pezullimi i patentës për 1 vit, për drejtuesin e urbanit të Kinostudios.

Sipas policisë, gjendja e dehur e shoferit të autobusit të Kasharit si dhe mos respektimi i sinjalistikës rrugore nga ana e drejtuesit të autobusit të Kinostudios, ka sjellë edhe përplasjen mes tyre.

Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.