Tiranë, 18-vjeçarja ekzekuton rrëmbyesin, babai e falënderon

1227
Sigal

Nazime Visha ishte e fejuar në Kombinat, por në muajin maji rrëmbehet dhe përdhunohet nga viktima

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Qendër -Krrabë në Tiranë, ku një 18-vjeçare vrau me armë zjarri një 45-vjeçar, i cili e kishte rrëmbyer dhe përdhunuar. Ngjarja sipas familjarëve të saj, shënon fundin e një vuajtjeje dhe vendosjen e drejtësisë, madje për këtë akt, babai i saj falënderon të bijën.

Policia

Sipas policisë ngjarja është regjistruar në afërsi të Xhamisë në Qëndër Krrabë, ku në banesën e saj, shtetasja Nazmije Beqir Visha, 18 vjeç, ka vrarë me armë zjarri (ish -bashkëjetuesin) shtetasin Fiqiri Zyber Muça, 45 vjeç banues në Shijak Durrës. Për hetimin e kësaj ngjarje, u ngrit menjëherë një grup i posaçëm  hetimor, të cilët po kryejnë procedurat e marrjes në pyetje dhe veprimeve të tjera hetimore e procedurale. Grupi hetimor, pas verifikimeve të kryera doli në konkluzionin se, autorja e dyshuar e këtij krimi është 18-vjeçarja Nazmije Visha, e cila pas një konflikti të çastit ka qëlluar me armë zjarri automatike 45-vjeçarin Fiqiri Muça, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndaj saj, u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të “Vrasjes”, ndërkohë që, materialet procedurale, i kaluan për referim dhe ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të Vrasjes.

Dëshmitë

Personi që kishte moshën e babait të saj tentoi të rrëmbente dhe ta mbante si dashnore Nazimen. Këto janë dëshmitë që vijnë nga fqinjët e vajzës 18-vjeç, Nazime Visha. Sipas fqinjëve, vajza fshihej aty në Qendër- Krrabë tek shtëpia e gjyshërve, sepse kishte frikë nga 45-vjeçari. Dikur ai e kishte rrëmbyer në të njëjtën mënyrë dhe e kishe mbajtur fshehur prindërve. “E ka rrëmbyer me forcë. Na ka treguar vetë vajza. Për çfarë e ka përdorur? Për marrëdhënie seksuale. Dhe ajo nuk donte më të kthehej tek ai”, shprehet një prej fqinjëve me vajzën. Fshatarët nuk reshtin së treguari. Ata e njohin historinë e Nazime Vishës. Tregojnë me gisht Fiqiri Muçën si kriminel dhe theksojnë se, familja nga frika se ai e rrëmbente sërish bijën e tyre e hoqën nga fshati Zallbastar, ku ajo banonte dhe e fshehën në Qendër Krrabë. “Ajo ka treguar këtu se ai e ka rrëmbyer. Përderisa kjo vajza është marrë peng nga ky tipi, ka lënë babën e nënën në Zallbastar dhe ka ardhur këtu për t’u strehuar, ai ka qenë i frikshëm për të. Madje me bindje them se ai ka tentuar ta grabisë atë vajzën. Madje kishte marrë dhe taksi. Pastaj hyri në shtëpinë e Nazimes dhe pati konflikt. Taksia priste poshtë, por Fiqiriu nuk doli më jashtë. Edhe policia erdhi e gjeti taksinë aty, nuk e prekën taksixhiun fare”, tregon një dëshmitar tjetër.

Viktima, i martuar me 4 fëmijë

Familjarë të vajzës bënë të ditur se Fiqiriu ishte nga Burreli, por banonte në Sukth të Durrësit, ku ishte martuar dhe kishte dhe 4 fëmijë. Vajza e madhe ishte 2 vjet më e madhe se Nazimja. Herën e parë kur e rrëmbeu e mbajti në një shtëpi të pabanuar në një fshat të thellë të Burrelit. Rrëmbimi është bërë kur Nazmija ishte e fejuar me një person tjetër në Kombinat.

Krimi i paralajmëruar

Krimi i ndodhur dje në Qendër- Krrabë është paralajmëruar dhe nga nëna e vajzës 18-vjeçare. Në fund të muajit maj, nëna e Nazime Vishës, Mejtja ishte alarmuar sepse Fiqiriu i kishte rrëmbyer vajzën, të cilën e njohu në një lidhje krushqie. Nga tronditja e thellë nëna tentoi vetëvrasjen dhe bëri apel për gjetjen e vajzës, e cila ishte e fejuar në Kombinat.

Babai: Veprimi, i drejtë!

Në një prononcim televiziv, babai i 18-vjeçares e cilëson të drejtë veprimin e vajzës së tij, ku ai falënderon vajzën e tij për veprimin që ka bërë. Sipas Beqir Vishës, ngjarja që ndodhi zbulon të vërtetën e rrëmbimit të parë të vajzës, e cila nuk ka ikur me dëshirë me Fiqiri Muçën, por është detyruar dhe kërcënuar për të deklaruar në polici se kishte ikur vetë nga shtëpia.