Terror në mesditë, grabitet me armë e maska argjendaria

77

FUSHË KRUJË- Terror me armë e maska në mesditë në qytetin e Fushë-Krujës, ndërkohë, pre e grabitjes nën kërcënimit me kallashnikovë ka qenë një argjendari në qendër të këtij qyteti. Ngjarja e rëndë, sipas burimeve për gazetën “Telegraf” ka ndodhur rreth orës 14:35 të ditës së hënë në dyqani në pronësi të Albert Bardhit. Burime nga vendi i ngjarjes pohojnë se, personat e armatosur kanë qëlluar në ajër jashtë dyqanit, për të larguar njerëzit, ndërkohë, me shpejtësi e nën kërcënimin e armës, janë futur në argjendari dhe kanë nisur bastisjen e sajë. “Pasi kanë kërcënuar pronarin që të mos lëvizë, nën kërcënimin e armës, kanë grabitur me shpejtësi një sasi të konsiderueshme sendesh me vlerë. Gjithashtu, personat e maskuar. Kanë grabitur dhe sasinë e parave që ndodheshin në dyqan. Ata nuk kanë ushtruar dhunë ndaj pronarit. Më pas, janë larguar me shpejtësi. Po punojmë për identifikimin dhe kapjen e vjedhësve”,- pohojnë burimet policore. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka bërë administrimin e ndodhisë dhe ka organizuar bllokimin e akseve rrugore, me qëllim kapjen e autorëve. Mësohet se, janë pyetur disa persona, përfshi pronarin dhe disa persona që janë ndodhur afër vendit të ngjarjes. Banorët janë të shqetësuar dhe kërkojnë nga policia vendosjen e rendit dhe të sigurisë.