Terror me tritol, grabiten bankat e hidhen në erë shtyllat elektrike

132

Dy objektet janë kërcënuar dhe më parë me tritol, por asnjë person nuk ka të identifikuar dhe të shoqëruar nga policia

Rikthehet terrori nga shpërthimet me tritol, shoqëruar me shkatërrime banesash, grabitje banke dhe errësirë si pasojë e shkatërrimit të shtyllave apo dëmtimeve të objekteve të Elektrikut. Dy shpërthime me tritol në pak minuta kanë ndodhur mbrëmjen e ditës së mërkurë. Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në zyrat e OSHEE në qendër të qytetit të Fushë- Krujës, ndërkohë që, pak më parë, shpërthimi ka përfshirë një filial banke dhe një banesë në Kamzë të Tiranës. Jo zyrtarisht konfirmohet se janë grabitur dhe një sasi parash, ndërkohë, shkak i terrorit me tritol janë konfliktet dhe hakmarrja për aksionet e OSEE për ndërprerjen e energjisë për debitorët.

SHPËRTHIMI NË KAMZË
Një sasi tritoli ka shpërthyer në një banesë dykatëshe në Kamzë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:50 të ditës së djeshme. Mësohet se ka dëme të mëdha materiale, por jo të lënduar në njerëz.
Lënda eksplozive ishte vendosur në ndërtesën, ku shërbente dhe si pikë magazinimi dhe tregtimi mielli, por në të kishte dhe biznese të tjera si minimarket dhe filiali i një banke private. Ndërtesa ndodhej vetëm 40 metra larg komisariatet numër 5 ose përballë bashkisë së Kamzës.
Dyshohet se është përdorur rreth 500 gram tritol në këtë ndërtesë ndërsa biznesi i miellit i përket shtetasit Ivzi Cani 47 vjeç, të cilit i ishte vënë lëndë shpërthyese në të njëjtin vend dy javë më parë. Grupi hetimor dyshon se pista e parë e hetimit është ajo e konkurrencës, për shkak se veprimi ishte i përsëritur dhe se subjekti në fjalë shiste miell me çmim më të lirë. Flitet se janë marr dhe një sasi të hollash në filialin e bankës… Janë bllokuar kamerat e sigurisë dhe janë shoqëruar disa persona.

SHPËRTHIMI NË FUSHË- KRUJË

Mbrëmë, një sasi eksplozivi ka shpërthyer në zyrat e OSHEE në qendër të qytetit të Fushë- Krujës.  Shpërthimi është regjistruar rreth orës 22:00. Nga shpërthimi nuk ka të lënduar, por dëme të shumta materiale. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar nga banorë të shumtë. Dyshohet se kjo ngjarja ka lidhje me aksionin e ndërmarrë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kundër vjedhjes së energjisë. Sipas policisë dyshohet se autorë të kësaj ngjarje janë persona të cilëve ju është ndërprerë energjia së fundmi dhe kanë paraqitur problematika të ndryshme. Fushë Kruja rezulton një zonë me shumë debi ndaj OSHEE, ku arkëtimet janë vetëm 20 për qind. Zyra e “Kujdesit ndaj Klientit” është ngjitur me një lokal në këtë zonë , ku pak ditë më parë u regjistrua një tjetër shpërthim me tritol. Në fakt, në këtë qytet përgjatë këtij viti janë regjistruar disa sulme me tritol, ku përjashtim nuk ka bërë as komisariati i policisë.