Tërhiqet Prokuroria, lokali i kthehet familjes Tata. Vëllai: Frederiku s’ka lidhje me prostitucionin

641
Iu bllokua lokali pas arrestimit të vëllait, Prokuroria heq sekuestron. Vëllai i Frederik Tatës tregon se organi i akuzës ka reaguar, pas thirrjes së tij, pasi dy katet e sipërme të lokalit shërbenin dhe si banesë për familjen Tata. Kjo ndërtesë u bllokua, kur Policia sekuestroi një shumë parash e bizhuterish në momentin e arrestimit të Frederik Tatës në nëntor, i akuzuar si kreu i një rrjeti të prostitucionit.
Viljam Tata, vëllai i Frederikut, bëri thirrje që ndërtesa të zhbllokohej, ndërsa organi i akuzës ka vepruar menjëherë. Pas këtij vendimi të prokurores Marsida Frashëri, Tata është i kënaqur që ai rikthehet në banesën e tij dhe lokalin e vëllait për të rinisur punën dhe jetesën në mënyrë normale.
“Në fakt jam shumë i lumtur që në fund drejtësia po nis që të vihet në vend. Ishte e pakuptueshme se përse ndërtesa jonë qëndronte e bllokuar në një kohë kur Policia kishte kryer veprimet dhe hetimet prej kohësh. Siç e thashë, edhe në ditën e gjyqit të vëllait tim, kjo ndërtesë nuk është një hotel, siç është thënë, por është një shtëpi banimi normale për dy familjet. Në katin e parë, siç dihet, është lokali që është me të gjitha rregullat e mundshme dhe nuk ka asnjë lloj problemi. Pastaj, në katin e dytë është banesa ku jetoj unë, ndërsa në katin e tretë është banesa e Frederikut. Kushdo mund të vijë dhe ta shohë se nuk është hotel, por thjesht një shtëpi normale. Unë dua të falënderoj, në këtë rast mediat që ngritën këtë problem kur ndërtesa ishte ende e bllokuar dhe, nga ana tjetër, një falënderim kam edhe për Prokurorinë, e cila bëri zhbllokimin dhe në njëfarë mënyre reflektoi për të drejtën që na takon. Unë, ashtu si ky rast, kërkoj qoftë nga Prokuroria, por edhe nga Gjykata që drejtësia të vihet për vëllain tim deri në fund. Të gjithë të jenë të bindur se vëllai im Frederiku nuk ka lidhje me prostitucionin. Është i pastër dhe në bazë të dosjes që ekziston ndaj tij nuk ka asnjë provë. Kur nuk ka prova, s’ka arsye që të qëndrojë në burg. Shpresoj që të lirohet sa më parë dhe të rikthehet pranë nesh, sepse është i pafajshëm dhe s’ka lidhje me prostitucionin, siç akuzohet. Kërkojmë drejtësi dhe të zbardhet vetëm e vërteta, asgjë më shumë”, shprehet Viljan Tata.
Më 22 dhjetor u zhvillua një seancë për zëvendësim mase për Frederik Tatën nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” ose “detyrim paraqitjeje”. Gjyqtarja e çështjes, Izabela Radovani, ka kërkuar që të tërhiqet, duke bërë që 50-vjeçari të mbesë sërish në “arrest me burg”. Pas kësaj seance, vëllai i Frederikut, Viljan Tata, reagoi duke thënë se po bëhet padrejtësi për 50-vjeçarin duke pretenduar se nuk ka lidhje me prostitucionin, siç akuzohet dhe se në bazë të dosjes është i pafajshëm. Në seancën gjyqësore të zhvilluar para tri ditësh, Frederik Tata kërkoi në sallën e gjyqit që gjyqtarja Izabela Radovani të lejojë familjarët e tij të merrnin pjesë dhe mediat. Ndryshe nga sa kërkonte i dyshuari, gjyqtarja e zhvilloi gjyqin me dyer të mbyllura, ndërsa pasi u tërhoq për të dhënë vendimin, Radovani deklaroi se tërhiqej nga kjo çështje.
Sigal