Tenton të vrasë ish-gruan, pushuesit i marrin armën

459
Disa pushues në Golem të Kavajës i kanë shpëtuar jetën një 37-vjeçareje, e cila është kërcënuar me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë, teksa Fadil Kasemi ka shkuar i armatosur pranë F.K., ku pas debatit i ka drejtuar një pistoletë në prani të djalit të tyre të mitur. Të bërtiturat e djalit sollën reagimin e menjëhershëm të disa pushuesve, të cilët e neutralizuan 51-vjeçarin, deri sa në vendngjarje shkoi policia dhe e shoqëroi në postën policore. Në pyetje janë marrë pushues, që kanë treguar ngjarjen, si edhe vetë gruaja, që prej muajsh ishte nën terrorin e 51-vjeçarit, aq sa i është drejtuar policisë dhe gjykatës për një urdhër mbrojtje.
Tentativa e vrasjes
Dje në mesditë, Fadil Kasemi ka shkuar i armatosur në plazhin e Golemit në Kavajë. Ai kishte futur në brez një pistoletë, ndërsa është ndalur te çadra e plazhit ku po pushonte ish-gruaja me djalin. Megjithëse policia kishte vendosur urdhër mbrojtje, sërish Fadili iu afrua 37-vjeçares, ndërsa ka nisur të debatojë ashpër me të. Disa dëshmitarë nga vendi i ngjarjes pohojnë se debatet ishin me tone të larta, madje Kasemi e ka goditur disa herë me grushte në fytyrë ish-gruan e tij. Pas kësaj ai ka nxjerrë pistoletën nga një çantë që mbante në dorë duke kërcënuar të vrasë 37-vjeçaren. Dëshmitarët thanë se gruaja i është lutur disa herë ish-bashkëshortit të mos e bëjë një veprim të tillë, ndërsa edhe djali i vogël gjatë gjithë kohës bërtiste. Mësohet se në këtë moment kanë ndërhyrë disa pushues, të cilët i kanë marrë armën nga dora Fadil Kasemit dhe e kanë mbajtur nën kontroll deri sa kanë ardhur forcat e policisë, pasi posta e forcave të rendit ndodhet shumë afër. Fadil Kasemi është dërguar në ambientet e postës së Policisë së Golemit, ku është marrë në pyetje, ndërsa është sekuestruar edhe arma e zjarrit.
Procesi gjyqësor
Çifti kishte pasur probleme të shumta gjatë bashkëjetesës. Kështu, gruaja që i shpëtoi vrasjes dje e kishte kallëzuar në polici e gjykatë. Në gjykatë është një çështje mes tyre, madje seanca e fundit është bërë më 7 prill të këtij viti. Paditëse është F.K, e cila është nënë e dy fëmijëve, me arsim të lartë dhe aktualisht studente në Shkollën e Magjistraturës. I paditur është pikërisht Fadil Kasemi, ndërsa objekti i padisë ishte për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, bazuar në ligjin “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Në seancën e 7 prillit, nuk u paraqit pa ndonjë shkak të arsyeshëm pala paditëse, ndonëse rezulton të ketë dijeni rregullisht nga seanca e mëparshme. “Gjykata, në këto kushte, verifikoi në kryesekretari dhe në zyrën e protokollit të gjykatës dhe nuk rezultoi që pala paditëse të ketë kërkuar shtyrjen e seancës apo të ketë paraqitur ndonjë kërkesë me shkrim apo shkak tjetër për të justifikuar mungesën e saj. Në këto rrethana, gjykata vlerëson se janë kushtet për pushimin e gjykimit të çështjes”, duke i “hapur” rrugë pikërisht ngjarjes së djeshme.
Sigal