Tenton të korruptojë policin me euro, i riu në Kapshticë e pëson keq

198
Policia kufitare e Kapshticës ka arrestuar një të ri, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë duke i ofruar ryshfet me qëllim përshpejtimin e kryerjes së procedurave të kontrollit, në dalje të Shqipërisë.
Në pranga ka përfunduar Misir Doko, 25 vjeç, banues në fshatin Vloçisht. Sipas policisë, më datë 27.12.2017, ky shtetas është paraqitur në dalje të Republikës së Shqipërisë, për të kryer veprimet e regjistrimit.
Gjatë kryerjes së procedurave në momentin kur punonjësi i policisë i ka kërkuar pasaportën, shtetasi i mësipërm ia ka dhënë këtë të fundit me një kartëmonedhë të prerjes 50 Euro, në brendësi të saj, me qëllim përshpejtimin dhe shmangien e procedurave të kontrollit të dokumentacionit për kalimin drejt tokës greke.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penal: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.