Tentoi të vriste motrën e kunatin rrezikon dënimin me 35 vite burg

499
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dënimin me 35 vite burg për Gëzim Karrulin, që tentoi të vriste motrën dhe dhëndrin. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Karruli ishte shpërngulur te shtëpia e motrës për të qëndruar disa ditë, pasi kishte pasur debate me bashkëshorten dhe papritmas një mëngjes ka tentuar t’i vrasë motrën dhe burrin e saj. Ai ka pohuar para prokurorëve se qëlloi mbi dhëndrin, pasi i shante të motrën, ndërsa për këtë të fundit, këmbëngul se gjithçka ishte aksidentale. “E kam qëlluar shtetasin Fiqeret Balla për arsye se ai shante motrën time, Shkurten dhe e kam qëlluar dy herë. Motrën e kam qëlluar pa dashje. Mbas këtij veprimi unë jam larguar me vrap dhe jam fshehur afër shtëpisë së tyre diku 300-400 me larg…”, ka theksuar i pandehuri. Karruli po gjykohet për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë, dy herë në dëm të motrës, Shkurte Balla, si dhe dhëndrit Fiqeret Balla. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shëne Premte, Lushnje në shtëpinë e çiftit Balla.

TENTATIVA E VRASJES
Në dosjen e prokurorisë thuhet se Gëzim Karruli në datë 17.12.2014, në fshatin Shëne Premte, Lushnje, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Fiqeret Balla dhe bashkëshorten e tij, Shkurte Balla. “Karruli – thekson prokuroria – ka jetuar në Itali për 16 vite. Rreth dy javë para ngjarjes, ai është kthyer nga Italia së bashku me bashkëshorten e tij O., me të cilën ka pasur debate të forta. I gjendur në këto kushte, ai është shpërngulur për të banuar në shtëpinë e motrës së tij, Shkurte Balla, derisa të normalizonte marrëdhëniet me gruan.

Mëngjesin e 17 dhjetorit 2014, rreth orës 05:30, Shkurta është zgjuar dhe ka dalë nga dhoma e gjumit, për të shkuar në dhomën e ndenjes, ku flinte vëllai i saj, Gëzimi, bashkëshorti Fiqereti dhe djali A. Kur ka dalë në kuzhinë, ka parë se i shoqi Fiqereti ishte ngritur dhe Gëzimi po qëndronte tek dera e shtëpisë. Para derës së shtëpisë ka parë të vëllanë të nxjerrë një pistoletë dhe pa folur asnjë fjalë ka qëlluar në drejtim të Fiqeretit dy herë, nga një distance rreth tre apo katër metra. Shkurtja në ato momente është afruar për t’i dalë para bashkëshortit dhe i pandehuri Gëzimi e ka qëlluar edhe atë dy herë të tjera pa thënë asnjë fjalë.
Si motiv i goditjes me armë zjarri tregohet se i pandehuri Gëzim ka qenë shumë i dëshpëruar në atë periudhë, pasi ai po u ndante nga bashkëshortja e tij dhe kishte problemin e djalit që nuk mund të pranonte që ta mbante bashkëshortja e tij. Një temë e tille ka qenë një natë para ngjarjes, ku ai kundërshtonte qëndrimin e Shkurtes se nëse ato ndaheshin, fëmija i takonte nënës së tij ta mbante.
Sigal