Të babëziturit me shqiponjën e shtetit, njëlloj si banditët me maska në rrugë

471
Sigal

Teodor Drjazeri në një nga librat e tij flet për një të pafajshëm që ishte burgosur për vrasjen e një njeriu, që në fakt jetonte akoma. Ndërsa në “Kolonelit nuk ka se kush t’i shkruajë”, tregohet se si koloneli i shkruante vetë letrat që të mbërrinin të nesërmen në adresën e tij, duke menduar se populli po e respektonte. Por një pjesë e kontingjentit të sotëm të policëve, i përshtaten më shumë, rrëfimeve të Zhvejkut, ku identifikimi i tyre pasqyrohet me toger Llukashin. Sepse, dje patrulla policore ndaloi në afërsi të Pogradecit, makinën e gazetës, duke kërkuar shkaqe të paqena për ndalesën dhe në fund shpiku halucinacionin, sikur kjo makinë kishte për të paguar gjoba. E çfarë është Zhvejku përpara këtyre lloj policëve, e çfarë është toger Llukashi përpara, kësaj patrulle policore, që nuk di se çfarë kërkon dhe nuk e kupton, budallallëkun që shpik, për gjoja ekzistencën e gjobave të papaguara. Misioni i Policisë së Shtetit  shqiptar, është të ruajë rendin dhe sigurinë publike, në përputhje me ligjin dhe duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Aq i rëndësishëm është ky mision sa  ligjvënësi shqiptar dhe ekspertë të institucioneve të huaja europiano-perëndimore që ndihmuan në përgatitjen  e Ligjit për Policinë e Shtetit e kanë vendosur që në hyrje të këtij  ligji, si Neni  nr.1  i “Kushtetutës” së Policisë Shtetit. E theksuam këtë moment për të treguar se asnjë veprim i policisë që bie ndesh apo nuk respekton të drejtat dhe liritë e njeriut është edhe më i rrezikshëm se vetë shkelësi i ligjit. Këtë mision ka kohë që një pjesë e uniformave blu e kanë harruar, pasi  janë kthyer në bashibozukë dhe hajdutë ordinerë. Aq e vërtetë është kjo, saqë krimi bënë kërdinë dhe kriminelët transportojnë me dhjetëra e qindra vepra artistike, të cilat kapen në mes të Tiranës dhe qindra postblloqe policie që i kushtojnë miliona taksapaguesve nuk kapin qoftë edhe një shkelës apo trafikant të vetëm. Duhet të shkojë Kryeministri dhe ministri i Brendshëm në vendngjarje dhe të japin alarmin e shkatërrimit të kulturës, traditës dhe historisë së kombit. Kurse për policinë, kjo gjë, nuk ka shumë rëndësi ose ka pak rëndësi përpara bakshisheve që jepen nga banditët dhe kriminelët. Pikërisht këto arsye dhe të tjera si këto të pafundme detyruan  qytetarët shqiptarë të  ndëshkojnë me votë ata që kishin për detyrë të mbronin dhe vendosnin rendin në vend.  Por ndërkohë që, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po firmoste në Tiranë  emërimet e reja në strukturat më të larta të Policisë së Shtetit, një grup punonjësish të policisë  me uniformën e shtetit  kishin bllokuar  rrugën dalëse nga Pogradeci për në Korçë. Ata kishin dalë me një plan masash, si detyrim dhe përgjegjësi e Policisë dhe strukturave të saj. Madje në Nenin nr.4 të Ligjit për Policinë e Shtetit thuhet se: “Përgjegjësia e Policisë është të mbrojë  jetën e njerëzve, sigurinë dhe pronën e tyre personale; të parandalojë, të zbulojë dhe të hetojë, në përputhje me ligjin penal dhe me ligjin procedural penal, veprat penale dhe autorët e kryerjes së tyre; të mbrojë rendin dhe sigurinë publike” . Po sa nga këto përgjegjësi apo detyrime ligjore ka marrë përsipër ky grup punonjësish të policisë ? A e dinë këta zotërinj se ata mbahen dhe paguhen nga taksat e qytetarëve me qëllim mbrojtjen dhe sigurinë e jetës dhe mbarëvajtjen e bizneseve? Në orën 12:20 minuta, patrulla e vendosur në postbllok në dalje të Pogradecit ndalon automjetin që shpërndante gazetën “Telegraf” me targën TR. 8512 N . Ata i kërkojnë shoferit dhe shoqëruesit të gazetave që të paraqisnin dokumentacionin. Deri këtu gjithçka është mëse normale, megjithëse ky mjet është 24 orë në rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë dhe e  pajisur me logot e gazetës etj.. Megjithatë, detyrimi është një për të gjithë, pavarësisht se prioriteti i këtyre policëve  duhet të jetë krimi dhe kriminelët dhe jo goditja ndaj shtypit që u nxjerr të palarat  këtyre sahanlëpirësve. Rastet e shumta të bashkëpunimit të policisë me krimin në lajmërimin e tyre, fshehjen e gjurmëve të krimit si dhe vënia në dijeni për ecurinë e hetimeve nga organet e policisë janë gjëja më normale për këtë rend të shthurur dhe të lidhur me kontrabandën. Por le t’i kthehemi rastit të ditës së djeshme,  ku policia bllokoi shpërndarjen e shtypit. Pasi kontrolluan dokumentet, të cilat rezultuan në rregull, policët që kishin zënë pritë në rrugë “komunikojnë”  në radio dhe “njoftohen” se makina ka dy gjoba të papaguara dhe duhet bllokuar.  Gjithçka mund të bëjë vaki deri sa kjo reformë e nisur nga qeveria e re po bëhet  për të vënë në vend dinjitetin e policisë së dikurshme, një pjesë e së cilës ka qenë  e lidhur me krimin . I kërkojmë ndihmë dhe mbështetje këtyre punonjësve të shtetit, të cilët vetë ne qytetarët e mbajmë me taksat tona. Dhe përgjigjja e policisë është:  Mos lëviz nga makina dhe se dokumentacioni do të bllokohet  për “gjobat” e papaguara. Asnjë shpjegim, sorollatje pafund, asnjë orientim nga disa injorantë dhe batakçinj që maskat e rrugëve do t’i kishin zili. Ata nuk pranuan të komunikonin as me drejtuesit e redaksisë së gazetës në Tiranë, me qëllimin e vetëm që të sqaronin situatën në qarkullimin rrugor të Tiranë. Mesa duket, veç të tjerave lufta dhe konkurrenca për shtypin e lirë është pjesa e diktaturës së re  dhe ndoshta e orientuar, edhe nga qejfmbetja e ndonjë drejtuesi të nomenklaturës së lartë komuniste në Ministrinë e Brendshme. Dhe këtë gjë gazeta “Telegraf”  e bëri dhe do të vazhdojë ta bëjë prezente deri në institucionin më të lartë të drejtësisë botërore, pikërisht në Departamentin Amerikan të Shtetit. Pas shumë sorollatjesh dhe pasi arritën qëllimin për të bllokuar shpërndarjen e gazetës, shoferi dhe shpërndarësi i gazetës përfundojnë në Komisariatin e Policisë, Pogradec. I kërkojnë zonjës në fjalë se çfarë gjobash janë pa paguar dhe ku janë vendosur? Çuditërisht ajo u thotë se, kjo makinë me këtë targë nuk ka asnjë gjobë ..!!!!! “Si ka mundësi”,- i thonë ? “Ne kemi dy orë që na mbajnë të bllokuar dhe na kanë marrë dokumentet patrulla juaj ,pasi “komunikuan”  në radio me ju?”.  “Nuk e di, por për mua jeni më rregull. Gjithsesi, duhet të shkoni ngjitur me komisariatin është qendra tjetër e pagimit të gjobave dhe mund ta shohë edhe ajo në kompjuter”, ishin fjalët e punonjëses.  Gjithashtu, punonjësja sugjeroi ta verifikoni edhe në Komisariatin e Korçës pasi atje janë më të sakta ?!?!?!?!?.  Vajtën  e panë dhe përsëri e njëjta përgjigje. Nuk keni gjoba. Pasi ia morën me shkrim u nisën drejt postbllokut të policisë që vetëm e shtetit nuk mund të quhet. Ja treguan vërtetimet dhe se të indinjuar dhe të fyer, por edhe ekonomikisht të ofenduar i kërkuan të jepnin emrin pasi nuk kishin numër identifikues, megjithëse, Neni 5 i Ligjit për Policinë e Shtetit, ku flitet për Simbolet e Policisë thuhet se: “Forma, përmasat dhe të dhënat që përmban dokumenti identifikues i punonjësit të Policisë përcaktohen

me urdhër të ministrit të Brendshëm, në vijim ministri”.  E fotografuam makinën me telefon celular, ndërkohë që, ata u sulën për të rrëmbyer telefonin se kujtuan se po incizoheshin dhe s’u vajti në mëndje për fotografinë. Debati vazhdoi dhe me paturpësinë më të madhe këta rrugëtarë  se nuk meritojnë emër tjetër i kërkuan të prisnin dhe pak se, shefi do t’i sqaronte pasi kishte ndodhur një keqkuptim me ta. U nisëm  drejt Korçës orët e pasdites dhe muzgu tregonte se, qëllimi për të bllokuar shtypin e bëri të vetën.

Informimi dhe reagimi për ngjarjen nga ministri Saimir Tahiri

Në këtë situatë skandaloze i kërkuam mbështetjen ligjore ministrit të Brendshëm  Saimir Tahiri, të cilin e vumë në dijeni për situatën dhe ngjarjen e rëndë me automjetin e shpërndarjes së gazetës “Telegraf”. Në mënyrën më qytetare  dhe me përgjegjshmëri të admirueshme ligjore ministri Tahiri angazhoi  strukturat e SHKB-së për të zbardhur deri në fund të vërtetën.