Tatimori favorizoi ish-administratorin e një firme për tregtimin e mallrave të rreme, 2 në pranga

416
Një inspektor Kontrolli në Drejtorinë Tatimore në Tiranë është ndaluar nga uniformat blu, pasi akuzohet për “Shpërdorim detyre”. Po kështu, është ndaluar edhe një ish-administrator i një firme private për “Fshehje të të ardhurave”. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit E.H, i cili ka ushtruar detyrën e Inspektor Kontrolli Operacional pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë (aktualisht i larguar nga detyra). 

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria se Rrethit Gjyqësor Tiranë (Seksioni Task-Forcë) në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor ka rezultuar se shtetasi P.H, 63 vjeç, në cilësinë e administratorit të kompanisë, me aktivitet tregtar import-eksport të mallrave të ndryshëm me shumicë dhe pakicë, në bashkëpunim edhe me disa subjekte të tjera, nëpërmjet deklarimit të të dhënave të rreme, dokumentacionit me të dhëna të rreme, shkarkimin e faturave fiktive me qëllim fitim material për vete dhe subjekte te tjera, i ka shkaktuar dëm ekonomik shtetit ne vlera të konsiderueshme monetare. Gjithashtu ka rezultuar se inspektorët e kontrollit të D.R.A.Tiranë, N.D, 28 vjeç, dhe E.H, i shpallur në kërkim, nëpërmjet mospërmbushjes së detyrës, duke kryer veprime në kundërshtim me ligjin, kanë favorizuar administratorin e kësaj kompanie Petrit Hajdini për përfitimin e vlerave të mësipërme. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Sigal