Tatimorët, horror në mes të Sarandës

439
Agron MEMA

Mëngjesin e së enjtes, qytetarët e Sarandës janë përballur me një pamje të frikshme dhe të tmerrshme në një nga zonat më të populluara të qytetit, sidomos gjatë fluksit të sezonit veror. Ka qenë pikërisht ora 10 e paradites, në afërsi të Hotel “GRAND”, pak metra më tutje Hotel-Turizmit, kur një makinë e hetimit tatimor, me një shpejtësi jashtë parametrave të lejueshme jo vetëm në qendrat e banuara e të mbipopulluara, por edhe në autostrada ka devijuar nga rruga duke hipur në trotuar, por as pema e shkulur nga përplasja me të nuk e ka penguar të shkojë “mysafire” e paftuar në një dyqan, duke aksidentuar rëndë një shitëse, e cila pas ndihmës së parë të dhënë në spitalin civil “Petro Nako” të qytetit, gjendja e sajë kritike i ka detyruar mjekët ta transportojnë me helikopter drejt spitaleve të kryeqytetit për trajtim të specializuar. Me plagë të lehta janë lënduar edhe tre qytetarë të tjerë, të cilët i nënshtrohen mjekimit në spitalin e qytetit pa rrezik për jetën.

 Dëshmitarë të ndodhur në vendngjarje thanë për “TELEGRAF” se makina ka qenë me shpejtësi të madhe, ka devijuar nga rruga, është përplasur me një pemë dekorative të cilën e ka shkulur nga rrënjët dhe ka hyrë në një dyqan rrobash ku ka aksidentuar shitësen. Pamje tmerri, kanë thënë qytetarët për “TELEGRAF”, pamje të cilat nuk i shohim as në filmat horror apo aksion. Mësohet se në makinë ka qenë një nga drejtuesit e lartë të hetimit tatimor të Tiranës. Policia ka shkuar në vendngjarje, por nuk bën të ditura detaje. Tatimorët e Tiranës kanë ditë që ndodhen në Sarandë dhe gazeta “TELEGRAF” ka bërë të njohura në faqet e sajë veprimet e tyre të dyshimta me bizneset si dhe ankesat e vet bizneseve për presione dhe gjoba të pa argumentuara me ligj. Dhe pas këtyre veprimeve, që nuk ka nevojë të përsëriten pasi i kemi publikuar, vjen edhe ngjarja tragjike e mëngjesit të së enjtes. 
Sigal