Tatimorët e Dibrës aksion kundër informalitetit, tregtarët e vegjël nisin protestat

84
Në Dibër tregtarët e vegjël janë detyruar nga Tatimorët që të mbyllin dyqanet e tyre, ndaj dhe ata kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër vendosjes së kasave fiskale. Ata pretendojnë se kjo është një padrejtësi që i bëhet kësaj kategorie tregtarësh, duke pasur parasysh kushtet në të cilat ata tregtojnë mallrat e tyre, si dhe taksat e papërballueshme për t’u paguar. Janë rreth 300 tregtarë të këtij qyteti që prej vitesh ushtrojnë aktivitetin e tyre në pazarin e Peshkopisë, e që përveç taksave dhe qerasë që duhet t’i paguajnë pronarit të tokës janë urdhëruar këtë të martë nga tatimorët që të ndërpresin aktivitetin deri në vendosjen e kasave dhe regjistrimin e tyre sipas ligjeve në fuqi. Më pas tregtarët kanë trokitur në dyert e Bashkisë së Peshkopisë për të kërkuar një zgjidhje të problemit, ku disa prej tyre janë pritur nga kryetari Shukri Xhelili.