“Summer 2016” sekuestron 5.1 kilogram heroinë, arrestohen 2 trafikantët

528
Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion antidrogë ku ka sekuestruar 5.1 kilogramë heroinë dhe ka vënë në pranga dy persona. Ditën e djeshme nëpërmjet një konference për shtyp nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, uniformat blu kanë bërë të ditur detajet e operacionit antidrogë të koduar “Summer 2016”. Në prangat e policisë kanë përfunduar shtetasit Fadil Bami, lindur e banues në Nikël të Krujës, si dhe Eduart Gjata, 39 vjeç, banues në Tiranë, të cilët akuzohen për veprat penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim, si dhe “prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve”. 
Zëvendësdrejtori për Krimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, Ermal Muçaj, bëri me dije gjatë ditës së djeshme në një konferencë për median se arrestimi i këtyre shtetasve u krye në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, ku rezultonte se Fadil Bami dhe Eduart Gjata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitet kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve dhe Unazës së Re, në kryeqytet. Ndërsa mësohet se Bami dhe Gjata janë arrestuar në flagrancë, teksa po shpërndanin lëndën narkotike. Në çantën që mbanin me vete, sipas policisë janë gjetur 10 pako me ngjyrë kafe, në të cilat ishte paketuar droga prej 5.1 kilogram heroinë me vlerë gjysmë milionë euro. Policia gjithashtu ka shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorë të tjerë të cilët janë të identifikuar nga ana e policisë.
Sigal