Skena frike, shqiptari i rrëmben pistoletën polices greke, terrorizon gjykatën, detaje dhe emri

560
Sigal

Një shtetas shqiptar është arrestuar në Greqi, i akuzuar për kanosje me armë brenda në sallën e gjyqit. I arrestuari, jo vetëm që e kishte të mbushur armën e vet, por në një moment mori edhe pistoletën e një punonjëseje të policisë.

Ka qenë ndërhyrja e dy qytetarëve që evitoi një ngjarje e cila do të mund të kishte përmasa tragjike. Njeri prej tyre përshkruan momentet e tmerrit të vërtetë:

“Kishim rënë të gjithë përtokë që të shmangim më të keqen. Shfrytëzova rastin dhe i fola, duke iu lutur që ta linte armën, të përpiqej të qetësohej, duke i thënë që nuk kishte për ta ngacmuar askush prej nesh. Por ai nuk donte të dëgjonte. Në një moment u zhvendos, dhe atëherë unë dhe një tjetër shfrytëzuam rastin iu hodhëm përsipër duke e neutralizuar. Pastaj ndërhyri dhe policia e i mori armët… Ishte një ngjarje e tmerrshme. Unë kam kaq vjet që frekuentoj sallën e gjyqit. Nuk e kam jetuar kurrë më parë një gjë të tillë dhe as që dua ta përjetoj më. Sepse do të mund të ishte një ngjarje me pasoja vdekjeprurëse”.

Gjithçka ka ndodhur mesditën e të enjtes në gjykatën e qytezës Githeos në Peloponez, shkruan ora neës.

41 vjeçari shqiptar Dritan Mullahu, ishte thirrur si dëshmitar në një çështje ku njërën nga palët në konflikt ai e urrente për shkak se kishin marrë në punë ish bashkëshorten e tij pas divorcit. Ndërsa gjyqi kishte filluar, ai i ka vënë në ballë revolverin atij personi, duke i thënë “më ke shkatërruar jetën, do të vdesësh”.

Një punonjëse e policisë është munduar ta qetësojë dhe t’i marrë armën, atëherë Mullahu ka tërhequr këmbëzën, por arma nuk shkrepi. Ndërkaq, policja është detyruar që të lerë përtokë edhe pistoletën e vet, të cilën e ka marrë 41 vjeçari dhe me dy armë në duar u kanosej gjithë të pranishmëve. Por në një moment, dy prej tyre i janë hedhur përsipër dhe e kanë çarmatosur, ndërsa policia i ka hedhur prangat.

41 vjeçarit iu sekuestrua revolveri me gjashtë fishekë. Ndërsa dosja penale kundër tij përmban akuzat e vrasjes me dashje në tentativë, grabitje, prishje e seancës gjyqësore dhe shkelje e legjislacionit për armët.