Skandali në Elbasan, Polici-Prokurori nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për kompetencën

551
Dyshohet se ngjarja e ka zanafillën më herët. Mësohet se e gjitha ka nisur me sulmin që u është bërë më herët fisit Çapja. Policia vazhdon të heshtë
Policia e Elbasanit ndodhet në një situatë tepër të rëndë. Ngjarje të cilat janë mbajtur të fshehura, duket se kanë rënduar situatën edhe më tej. Në mes të gjithë këtyre ngjarjeve që janë zhvilluar prej vitesh ka njerëz me influencë në këtë qytet, të cilët janë bërë shkak edhe për mbylljen e vazhdueshme të hetimeve ndaj personave të arrestuar me precedentë të shumtë kriminal. Në çdo dalje policia është shfajësuar për këtë qëllim. Ngjarje e datës 18 shtator në tregun Agro-ushqimor të qytetit të Elbasanit, ku u godit nga një automjet i blinduar makina e zv. Drejtorit të policisë së këtij rrethi, e ka zanafillën më herët. Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit për të mbajtur nën mbikëqyrje personat me precedentë penal, Policia e Shtetit ka kthyer këtë përgjigje në organin e akuzës. “Nga ana e sektorit të forcës së posaçme, nisur nga dinamika e madhe me shërbime në funksion të procedimeve penale në ndjekje dhe numrit të limituar të ndihmës specialistëve si pasojë e ndjekjes së grafikut të pushimeve vjetore, është e pamundur kryerja e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore”. Aktualisht, pas hekurave për ngjarjen e 18 shtatorit qëndrojnë, Ledio Zabeli dhe roja i objektit të tregut, Valmir Dedja. Ndërsa ndaj Kelmend Xhaferri, Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi qëndrim me arrest shtëpie. Pas videos të publikuar në disa televizione për përplasjen në Elbasan një javë më parë, 6 efektivë të policisë janë kallëzuar penalisht nga avokati i Petrit Çelës. Në këtë mënyrë pritet të nisin hetimet për Policët dhe nëndrejtorin e Policisë Elbasan Gjergj Oshafi, nëse kanë ndjekur procedurën në momentin që qëlluan në drejtim të makinës së blinduar tip “Audi”. Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencën, pasi ka rrëzuar akuzën e tentativës së vrasjes ndaj efektivëve të Policisë. Dosja do të transferohet në prokurorinë e Elbasanit, ku ndaj personit që drejton makinën “Audi”, Petrit Çela do të ngrihen akuzat, largim nga vendi i aksidentit dhe mosbindje ndaj urdhrit të Policisë. Ndërsa biznesmeni Petrit Çela ka kallëzuar efektivët e policisë se kanë qëlluar ndaj automjetit të tij. Hetim për policët ka nisur edhe SHKB. Ka dyshime të cilat lidhen me mosndërhyrjen e efektivëve të policisë, nga frika. Ndërkohë thuhet gjithashtu se punonjësit e policisë kanë pasur dijeni për personat që shkaktuan aksidentin. Ngjarjet në Elbasan janë paraqitur tejet të rënda. Grupet kriminale duket se janë vënë mbi policinë, ndërsa kjo e fundit nuk ka as fuqinë për të parandaluar, apo për të vënë në pranga autorët e dyshuar. Deri sot kemi vetëm deklarata të shkëputura të Policisë së Shtetit lidhur me incidentet në fjalë.
Sigal