Skandal ministria e Brendshme regjistron dështimin e parë, bandat grabisin spitalin ushtarak në mes të ditës

413
Sigal

 Grabitja në spitalin privat amerikan

Eshtë e habitshme që grabitja e parë publike ndodh në spitalin privat amerikan, ku mjekohen çdo ditë me dhjetëra njerëz. Nga të dhënat e para mësohet se grabitja ka ndodhur pak para se paratë të futeshin në makinë, të cilat më pas do të transportoheshin për në një nga bankat e kryeqytetit. Paratë i përkisnin këtij spitali privat, i cili është i vendosur brenda rrethimit të Spitalit Ushtarak. Paratë do të transportoheshin për në bankë nga persona të autorizuar të spitalit me anë të një makine tip Volksëagen, me targë, TR 07 32 N. Por pikërisht në atë moment ndodhi grabitja nga ana e dy personave.

Ende nuk janë të qarta rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja. Policia është në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre.

Policia dështon që në aksionin e parë kundër bandave duke përsëritur frazën: Kriminelët ikën në drejtim të paditur

 Që kur ekipi qeverisës i Kryeministrit Edi Rama fitoi zgjedhjet e 23 Qershorit, të gjithë menduan se ai e meritonte fitoren, por në fakt këto ditët e para të  qeverisjes, treguan se ekipi i Ministrisë së Brendshme që është zgjedhur për të mbrojtur rendin publik, është një ekip i dështuar dhe i papërgatitur për t’u ndeshur me krimin. Ky ekip i kryesuar nga ministri Saimir Tahiri duket sikur është përgatitur për të lozur me cingla, apo me batuta, por jo për t’u përleshur me bandat e shumta të kryeqytetit. Që në përplasjen e parë, ose që në rastin e parë, habia e treguar nga forcat e rendit, tregon qartë se, ata nuk janë përgatitur për të stabilizuar rendin, por për të bërë poza televizive, duke lëshuar herë pas here, batuta pa shije që u pëlqejnë vetëm teveqelëve dhe parazitëve. Por populli shqiptar i rrezikuar ditë për ditë dhe natë për natë, nga kriminelët, kanë nevojë për mbrojtjen e policisë, e cila duket sikur është akoma në gjumë, duke mbajtur edhe një biberon në gojë. Në fakt, thuhet shpesh se qeveria duhet lënë të punojë, por në këtë rast plogështia e policisë po i jep hapësirë bandave kriminale që të punojnë. Natyrisht, nuk ka vend për të paragjykuar punën e nesërme të ministrisë së Rendit, por dje, gjatë komentimit të ngjarjes, në fund të çdo fjalie duhet shkruar fjala ”turp”. Sepse grabitja u krye në mes të ditës dhe në një qendër të populluar tej mase, ku banda përbëhej vetëm nga dy vetë dhe një armë, ndërsa uniformat e policisë numërojnë një efektiv prej dhjetëra mijëra vetësh. Atëherë, çfarë është ky panik i policisë, ky hezitim i policisë, për të mos evituar një grabitje në mes të ditës dhe në mes të njerëzve. Ku po flinte kupola e uniformave blu, apo ku po e pinte kafen në atë orë të ditës? Si ka mundësi që përgjumja e policisë të jetë aq e madhe saqë të mos mund të bllokojë rrugët hyrëse apo dalëse brenda spitalit, apo kryqëzimet jashtë tij, në një kohe të shkurtër? Natyrisht është shpejt për akuza më të rënda ndaj policisë, por masat duhen marrë shpejt që raste të tilla të mos përsëriten. Sepse përsëritja e tyre e akuzon policinë tonë si bashkëpunëtore me bandat, apo si ndihmëse e tyre. Ashtu siç ka ndodhur edhe me rastet e qeverisjes së kaluar.

Ngjarja

Persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një furgon në Tiranë, i cili transportonte paratë në një bankë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Laprakës, pranë “Spitalit Ushtarak”, ndërkohë që mësohet se grabitësit kanë qenë tre persona. Ata kanë marrë furgonin që transportonte paratë e “Spitalit Amerikan”, ndërsa nga të dhënat e para, mendohet se shuma që ndodhej në furgon, ka qenë 30 milionë lekë. Nga të dhënat e para të policisë, dyshohet se për këtë grabitje kanë bashkëpunuar edhe persona të brendshëm të Spitalit Amerikan, duke qenë se, gjithçka ka ndodhur në qetësi të plotë dhe pa zhurmë.

Grabitja

Dje u grabitën miliona lekë në furgonin e një spitali privat, kur ato po transportoheshin në bankë. Një automjet i një spitali privat që transportonte para në bankë është bërë pre e grabitjes, në Tiranë. Ngjarja është shënuar në zonën e Laprakës, pranë një prej filialeve të një banke ku persona të armatosur kanë marrë paratë e një spitali privat që po transportoheshin në bankë me anë të një furgoni. Dyshohet se sasia e parave të vjedhura është 30 milionë lekë të vjetra. Gjithashtu, bëhet e ditur se një punonjësi të një spitali privat që transportonte paratë, në bankë i është grabitur automjeti me targa TR 0731 M. Ngjarja është shënuar pranë ambienteve të Spitalit Ushtarak. Sipas policisë, dyshohet se, autorë janë 2 persona me motor të zi që kanë sulmuar furgonin duke rrëmbyer 3 milionë lekë të reja që do të transportoheshin për në bankë. Të dhëna paraprake bëjnë me dije se 2 personat me motor të zi kanë qëndruar në një distancë rreth 50 m nga furgoni dhe në një moment i janë afruar dhe nën kërcënimin e një arme zjarri, e dyshuar si pistoletë. Ata kanë rrëmbyer milionat të cilat do të transportoheshin nëpërmjet makinës së një banke të nivelit të dytë. Dhe një makinë ‘security’ që do e shoqëronte drejt ambienteve të bankës. Por, personi i autorizuar për transportin që sapo kishte dalë nga ambientet e spitalit privat, është sulmuar nga 2 personat. Policia bën me dije se 2 autorët mund të kenë pasur informacion të rëndësishëm rreth sasisë së parave, orës kur do të transportoheshin dhe lëvizjes së automjetit. Për këtë shkak, 4 persona, pjesë të policisë private, punonjës së bankës dhe të spitalit privat u morën në pyetje intensive, si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, po ekzaminohet dhe furgoni, shënjestra e grabitësve.