Skafi i shpëton policisë së Durrësit, niset drejt Malit të Zi. Dështimi me operacionin dhe kontrollet në tokë

573
Trafiku, skafi me drogë i shpëton Policisë së Durrësit, niset drejt Malit të Zi
Ndalohen tre mjete dhe një karel në Durrës, kërkime të imtësishme për të identifikuar rrjetin, shoqërohen në polici tetë persona të dyshuar
Trafiku i lëndëve narkotike përmes detit, duke përdorur skafet, duket se nuk do të ndalet, edhe pas presioneve të policisë vendase dhe asaj italiane për kontrolle të vazhdueshme dhe për arrestimin e shumë personave. Pas Vlorës tashmë një rast i ngjashëm me atë të Habilajve, vjen nga Durrësi. Një skaf i ngarkuar me drogë ka arritur t’i shpëtojë policisë së Durrësit dhe të vijojë itinerarin e tij drejt Malit të Zi. Sipas të dhënave të para, skafi me drogë u ngarkua dhe u nis nga Porto Romano. Por policia ka arritur të arrestojë dy persona. Sipas informacioneve, të arrestuarit janë Albert Dedej dhe Oriold Brokaj, nga Vlora dhe Lushnja, pasi dyshohet, se me anë të një fuoristrade kanë ngarkuar një sasi të konsiderueshme droge në një skaf në Porto Romano. Skafi pasi ka marrë ngarkesën është nisur drejt Malit të Zi, ndërsa dy të arrestuarit janë kapur, teksa po tentonin të largoheshin nga vendi. Skafi, sipas burimeve, ka mundur t’i shpëtojë patrullimit në det. Droga dyshohet se ishte marrë në Vlorë, për t’u trafikuar më pas drejt Malit të zi. Menjëherë pas daljes së këtij informacioni ka reaguar edhe Policia e Durrësit. 

Janë ngritur grupet e punës për të kontrolluar vijën bregdetare. Në operacion, sipas policisë së qytetit bregdetar, janë përfshirë Policia Kufitare në bashkëpunim me Autoritetet Italiane Guardia Di Finanza, Frontex dhe policitë e vendeve fqinjë. Policia nga ana e saj ka dhënë disa detaje lidhur me ngjarjen. Duket se ajo ka pasur gjithë informacionin e nevojshëm për skafin e ngarkuar me drogë. “Më datë 16.12.2017, në lagjen Nr. 15, Spitallë, në afërsi të bregdetit nga kontrollet e ushtruara nga Policia Bregdetare dhe Policia Lokale janë gjetur dhe bllokuar 3 mjete dhe një karel që transporton mjete lundruese. Në të gjithë vijën bregdetare po ushtrohet kontroll i imtësishëm nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me Autoritetet Italiane Guardia Di Finanza, Frontex dhe policitë e vendeve fqinjë, për të evidentuar dhe bllokuar ndonjë mjet lundrues që dyshohet se mund të jetë transportuar me karel deri në breg të detit ku dhe u sekuestruan mjetet dhe kareli”, thuhet në njoftim. Për këtë ngjarje sqarohet se ende nuk është konstatuar asnjë mjet lundrues i dyshimtë. Për rastin, janë shoqëruar 8 shtetas, dhe po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sigal