Si kaluan 7 kg heroinë nga Porti i Durrësit? Nën përgjim të dyshuarit që folën me shoferin e makinës

525
Sërish drogë nga Shqipëria drejt Italisë. 7 kg heroinë janë kapur në Bari ditën e djeshme. Droga është gjetur në një automjet “Volkswagen”, i cili ishte nisur nga Durrësi në orën 23:00 të së dielës me tragetin Durrës-Bari. Automjeti ka kaluar pikat e kontrollit në portin e Durrësit dhe është imbarkuar në traget, por në mëngjes droga është zbuluar gjatë kontrollit nga policia italiane.
Burimet kanë bërë me dije  se kapja e 7 kg heroinë e pastër nga karabinierët italianë në Bari, ka vënë në alarm Policinë Kufitare dhe sektorin e narkotrafikut në portin më të madh të vendit.
Autoritetet italiane sot kanë dërguar informacionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit duke kërkuar edhe hetim për rastin e trafikut, lidhur me vendin e origjinës së drogës, shoferin e automjetit ku është gjetur heroina dhe lidhjet e mundshme të tij. Autoritetet italiane kanë kërkuar gjithashtu zbardhjen e tabulateve telefonike të shoferit që rezulton nga Elbasani, por emri i tij nuk bëhet i ditur. Kjo, për të zbuluar personat me të cilët ka komunikuar si dhe itinerarin që ka ndjekur.
Pas kërkesës së palës italiane policia shqiptare ka nisur hetimin për zbulimin e linjës së trafikut e cila dyshohet se është Turqi-Maqedoni-Shqipëri-Itali dhe në përgjim sipas burimeve janë vënë një sërë personash në Shqipëri e në Itali, të cilët kanë komunikuar me drejtuesin e “Volkswagen”-it të cilit iu kap droga.
Ndërsa të gjithë strukturat e të organizmat flasin për sasinë e madhe të hashashit që po trafikohet nga Shqipëria drejt Europës, drogat e forta ato që kanë edhe më shumë përfitime, pothuajse janë lënë në harresë.
Sigal